Presidenti rus Vladimir Putin ka sugjeruar kreun e Shërbimit Federal të Taksave si një kandidat për postin e Kryeministrit pasi qeveria dha dorëheqjen më herët të martën.
Sipas mediave ruse, përcjell Telegrafi, Putin është takuar me Mishustin dhe i ka ofruar atij pozicionin e Kryeministrit të cilin ai e pranoi, tha Kremlin.
Mishustin shkoi në Dumën e Shtetit drejtpërdrejt nga Kremlini për një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Parlamentit.
Gjatë takimit, u ra dakord që deputetët të enjten të vendosin për kandidatin për kryeministër.
Mikhail Mishustin, 53 vjeç, mban Ph.D. në ekonomi dhe pati një karrierë të gjatë si zyrtar qeveritar. Ai po drejtonte Shërbimin Tatimor të Rusisë që nga viti 2010.
Mishustin është një “kandidat i denjë” për postin e kryeministrit, sipas Nikolay Zhuravlev, nënkryetari i dhomës së sipërme të parlamentit Këshilli i Federatës.
“Ai është një profesionist i madh, i cili vërtetoi efektivitetin e tij në praktikën aktuale. Agjencia e tij është ndër kryesoret”.
Ndryshe, kryeministri i deritanishëm Dmitry Medvedev i ka dorëzuar dorëheqjen e tij presidentit Vladimir Putin të mërkurën.
Putin ka falënderuar Medvedev për shërbimin e tij, por vuri në dukje se kabineti i kryeministrit nuk arriti të përmbushë të gjitha objektivat e përcaktuara.
Megjithatë, mediat ruse thanë që Putin planifikon ta emërojë Medvedev si zëvendës të Këshillit Presidencial të Sigurisë.
Medvedev, një bashkëpunëtor i ngushtë i Putinit, ka shërbyer si kryeministër i Rusisë që nga viti 2012. Ai kaloi katër vjet para kësaj si president në periudhën 2008-2012. /Telegrafi/