Nga: Limor Simhony Philpott / The Spectator
Përkthimi: Telegrafi.com
Benny Gantz, lideri i Partisë Hosen [Qëndrueshmi] për Izraelin dhe anëtar i kabinetit të luftës, ka dhënë dorëheqjen nga qeveria e Benjamin Netanyahut. Gantz, një tip i moderuar që iu bashkua kabinetit në ditët e luftës kundër Hamasit, ka shprehur vazhdimisht zhgënjimin me kryeministrin për mungesën e një plani për Gazën.
“Netanyahu po na pengon që të përparojmë drejt fitores së vërtetë”, tha Gantz në një fjalim televiziv të dielën mbrëma. “Për këtë arsye, sot largohemi nga qeveria e emergjencës, me zemër të rëndur, por me gjithë zemër”. Gantz gjithashtu i bëri thirrje Netanyahut të caktojë një datë për zgjedhjet, duke shtuar: “Mos lejo që kombi ynë të copëtohet”.
Vendimi i Gantzit për t’u larguar do të thotë se ai më në fund ka përmbushur kërcënimin për të dhënë dorëheqje. Gantz më parë kishte bërë thirrje për përparim në gjashtë çështje kyçe: kthimin e pengjeve, shkatërrimin ushtarakisht dhe politikisht të Hamasit, gjetjen e një sunduesi alternativ për Gazën, lejimin e refugjatëve izraelitë nga Izraeli verior që të kthehen në shtëpi pas krijimit të kushteve më të sigurta për ta, normalizimi i marrëdhënieve me Arabinë Saudite dhe përmbysja e një politike që i lejon hebrenjtë ortodoksë që të heqin dorë nga shërbimi kombëtar. Derisa katër pengje izraelite u shpëtuan nga forcat izraelite gjatë një bastisjeje në kampin e refugjatëve Nuseirat në Rripin qendror të Gazës në fundjavë, Gantz mendoi se në përgjithësi nuk kishte lëvizje të duhura të mjaftueshme.
Gantz – ish-shef i shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), i cili interesin kombëtar e vuri mbi politikë atëherë kur pranoi të bashkohej me një koalicion me të cilin kishte pak të përbashkëta – prej disa kohësh pritej të largohej. Disa menduan se ai përfundimisht mund t’i nënshtrohet presionit të Netanyahut, i cili iu lut të qëndronte për shkak të ndjenjës së përgjegjësisë ndaj vendit në kohë lufte. Nëse Hamasi do të kishte pranuar kushtet e marrëveshjes amerikano-izraelite të armëpushimit të paraqitur nga Joe Biden, javën e kaluar – të cilën Gantz e mbështeti – është e besueshme që Gantz do të bindej të qëndronte.
Megjithatë, Gantz dhe anëtari i tij i partisë së tij, Gadi Eisenkot – djali i të cilit ishte oficer i IDF-së i cili u vra në Gazë në dhjetor – janë bërë gjithnjë e më të frustruar nga mungesa e aftësisë së tyre për të ndikuar në politikë. Netanyahu ka lëvizur vazhdimisht përpara dhe prapa në një sërë çështjesh politike, dhe duket se nuk është në gjendje të balancojë kërkesat nga AK-së së tij të ekstremit të djathtë dhe centrist (Anëtarët e Knesetit/Parlamentit). Kjo ka çuar në një ngërç të zgjatur për çështjet urgjente dhe kritike, të tillat si kush do të sundojë Gazën pas Hamasit. Prandaj, qëndrimi në qeveri dukej i pakuptimtë.
Në një konferencë për shtyp të dielën – e shtyrë nga e shtuna për shkak të operacionit të suksesshëm të shpëtimit të pengjeve – Gantz konfirmoi dorëheqjen e vet.
Në fjalim, Gantz e pozicionoi veten si “patriot”, për dallim nga Netanyahu të cilin e akuzoi se vepron bazuar në interesat e ngushta politike. Fitorja e vërtetë, argumentoi Gantz, nuk mund të arrihet vetëm me mjete ushtarake. Tha se është vendimtar krijimi i një alternative politike ndaj Hamasit.
Kjo është një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mes të dyve. Netanyahu ka kaluar tetë muajt e fundit duke refuzuar të shqyrtojë alternativat serioze ndaj Hamasit. Mossigurimi i rënies së tyre nga pushteti, mund t’i ndihmojë të rivendosin kontrollin kur lufta të mbarojë. Pa fitore të vërtetë, paralajmëroi Gantz, do të jetë i kotë çmimi i tmerrshëm i paguar nga populli izraelit.
Gantz u ka bërë gjithashtu thirrje anëtarëve të tjerë të koalicionit, veçanërisht Yoav Gallantit, të “bëjnë atë që mendojnë se është e drejtë”. Gantz shpreson se dorëheqja e tij do të ndihmojë në shkaktimin e kolapsit të koalicionit dhe në zgjedhjet e reja kombëtare.
Largimi i Gantzit dhe Eisenkotit do të lërë një vakum në kabinetin e luftës dhe mund të lejojë ndikimin më të madh të dy ministrave ultra-nacionalistë të qeverisë, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich – të cilët nuk kanë përvojë të duhur ushtarake (Smotrich e kaloi një kohë të shkurtë në IDF, ndërsa Ben-Gviri u refuzua nga ushtria). Të dy kanë bërë presion për politikat e papërgjegjshme në Gazë dhe në Bregun Perëndimor që minonin angazhimet e luftës, dëmtonin marrëdhëniet e Izraelit me aleatët dhe dëmtonin sigurinë afatgjate të Izraelit. Të dy këta gjithashtu kundërshtojnë me forcë çdo marrëveshje armëpushimi me Hamasin.
Prandaj, dorëheqja e Gantzit mund të mos jetë e mirëpritur nga disa prej votuesve. Për të shmangur humbjen, Gantz ua ka kujtuar se ndryshe nga Netanyahu, ai kurrë nuk do të udhëhiqet nga kalkulimet politike. “Unë do të vdes për fëmijët tuaj”, tha gjatë konferencës për shtyp.
Tash për tash, Netanyahu do të mbetet në pushtet, por nëse nuk mundet të josh anëtarët e tjerë të opozitës, shumica e tij në Kneset do të bjerë në vetëm 64 vende nga gjithsej 120. Largimi i atyre të cilët shumë izraelitë perceptojnë si “ të rriturit e përgjegjshëm” në dhomë, do të dëmtojë më tej legjitimitetin e tij.
Izraelitët duhet të jenë shumë të shqetësuar për këtë zhvillim. E ardhmja e konfliktit izraelito-palestinez do të formësohet nga kjo luftë. Ashtu si edhe marrëdhëniet e Izraelit me fqinjët. Fatkeqësisht, në krye të vendit tani është një kryeministër që mezi funksionon, i cili shqetësohet për mbijetesën e vet politike, si dhe dy figura mesianike pikëpamjet e të cilëve nuk përfaqësojnë shumicën e izraelitëve. /Telegrafi/