Telegrafi

Dorëheqja e duhur dhe një goditje për Trumpin

Që me krijimin e këtij posti në vitin 1953, këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit amerikan është një nga aktorët më me influencë të politikës së jashtme dhe të sigurisë të Qeverisë amerikane. I emëruar direkt nga presidenti, ai përcakton në masë të madhe orientimin e politikës së jashtme amerikane. Këshilltarë të sigurisë si Henry Kissinger, Zbigniew Brzezinski, Brent Scowcroft apo Condoleezza Rice kanë vënë vulën e tyre në politikën e presidentit. Sigurisht ata kanë qenë të kontestuar në këtë post, dhe janë ende edhe sot. Por, në historinë 60-vjeçare të këtij posti, nuk është larguar asnjë këshilltar brenda 24 ditësh. Me këtë presidenti amerikan futet në histori.

Natyrisht dorëheqja e Michael Flynnit është hapi i duhur, ai është madje i vonuar. Më së voni kur pak ditë pas marrjes së postit nga Trumpi, u bë e ditur se FBI me autoritete të tjera po analizonte telefonatat e të emëruarit si këshilltar për sigurinë kombëtare me ambasadorin rus, u bë e qartë se për Flynnin akulli po thyhej. Flynn kishte telefonuar me ambasadorin rus, pikërisht në atë ditë, kur presidenti ende në detyrë, Barack Obama, vendoste sanksione kundër Rusisë.

Flynn, i cili në fillim deklaroi, se nuk ka folur me ambasadorin rus për sanksionet, bëri të ditur javën e shkuar përmes zëdhënësit, se nuk mund të përjashtojë, se kjo temë është prekur. Por për çudi nuk ishte ky pohim që çoi në dorëheqjen e tij, por fakti, që ai me këtë mashtrim ka vënë në pozitë të vështirë zëvendëspresidentin amerikan Mike Pence. Sepse ky i fundit ishte bazuar në deklaratat e Flynns, që nuk është folur me të dërguarin e Moskës në Uashington për sanksionet dhe e mbrojti publikisht këshilltarin e presidentit. Por, tani që duket se kjo bisedë është zhvilluar, rrezikohet rëndë besueshmëria dhe imazhi i zëvendëspresidentit – vetë tre javë në këtë post. Me këtë u bë i pashmangshëm largimi i Flynnit.

Dorëheqja e Flynnit është kështu jo vetëm e nevojshme, për të mos e dëmtuar më tej administratën e Trump. Ky hap mund të përshëndetet edhe për arsye politike. Sepse me islamofobinë e ashpër, të shprehur pa takt në publik, apo afërsinë me Rusinë, Flynn ishte që para marrjes së postit një nga më të kontestuarit si ekspert republikan i sigurisë dhe politikës së jashtme. Ai që e mbajti Flynn në post, megjithë kontestimet, ka qenë Donald Trump. Prandaj, largimi i tij kaq i shpejtë, është edhe një goditje e rëndë për presidentin.