Site icon Telegrafi

Donika Gërvalla zgjidhet kryetare e Listës “Guxo” në Pejë

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, dhe njëherit ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, është zgjedhur kryetare e degës së Listës “Guxo” në Pejë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili Gërvallën e cilësoi si zë që për 30 vite ka qenë aktiviste për lirinë e Kosovës dhe liritë universale.

“Medoemos që nuk do kishte si të ishte ndryshe Donika, duke qenë se ajo rrjedh nga një familje atdhetare e patriotike, një familje e cila ka shërbyer si udhërrëfyese për gjeneratat pasuese”, ka shkruar Peci në Facebook.

Tutje, ka thënë se ajo ka ndjekur hapat e babait të saj, veprimtarit Jusuf Gërvalla, “gjithmonë duke pasur synim afirmimin e Kosovës në botë dhe pasqyrimin e realitetit, të dhunës e shtypjes me të cilën janë përballur shqiptarët me vite nga pushtuesi serb”.

“Në familjen Gërvalla, përmes rokut e poezisë zë vend zanafilla e rezistencës dhe frymës së ndryshimit, atëherë kur pak kush ka pasur guximin të jetë roker e poet”.

“Donika ishte pjesë e protestave studentore në Shqipëri në dhjetor të vitit 1990, ku pastaj përmes grevës së urisë në shkurt të 1991, bashkë me studentë të tjerë, çuan në rrëzimin e regjimit diktatorial në Shqipëri”.

“Sa ishte pjesë e LDK-së përfaqësoi qëndrimet e Kosovës para opinionit gjerman si në media ashtu edhe në Qeverinë Gjermane e Bundestag. Së bashku me bashkëshortin Stefanin, nuk e kanë ndalur aktivitetin e tyre patriotik në shërbim të Kosovës edhe pse kanë qenë nën kërcënime të vazhdueshme për jetë”.

“Donika sot, është pjesë e partisë “Guxo” duke mbetur simbol i guximit dhe luftëtare e zëshme për ndryshim. Vetë prezenca e saj në Kosovë për t’i kontribuar vendit, larg familjes së saj përbën sakrificë”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

Exit mobile version