Telegrafi

Donatorët zotohen se do të ndajnë mbi 1 miliard dollarë për Afganistanin

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha se donatorët ndërkombëtarë janë zotuar se do të ndajnë mbi 1 miliard dollarë ndihma për Afganistanin.

Konferenca e donatorëve – me përfaqësues nga rreth 40 vende – u mbajt të hënën në Gjenevë të Zvicrës.

“Kjo konferencë i ka përmbushur plotësisht pritjet e mia sa i përket solidaritetit me njerëzit e Afganistanit”, tha Guterres.

Kombet e Bashkuara vlerësuan më herët se Afganistanit i duhen mbi 600 milionë dollarë deri në fund të vitit, për të shmangur krizën humanitare.

Afganistani ka rënë nën kontrollin e talebanëve më 15 gusht. Donatorët e huaj kanë siguruar më shumë se 75 për qind të buxhetit të këtij vendi, por ato pagesa janë ndalur kur militantët islamikë kanë marrë kontrollin.

Lexo po ashtu Kombet e Bashkuara kërkojnë 600 milionë dollarë për të shmangur krizën humanitare në Afganistan

Përveç kësaj, Afganistani është duke u përballur me thatësi të madhe. Gjendjen e kanë rënduar edhe luftimet e viteve të fundit midis militantëve talebanë dhe forcave qeveritare, të mbështetura nga Perëndimi. Më 7 shtator, talebanët kanë formuar Qeverinë e tyre.

Shumë vende kanë shprehur gatishmëri për të ofruar ndihmë humanitare, por edhe hezitim për t’iu dhënë qindra miliona dollarë talebanëve.

Talebanët kanë sunduar Afganistanin edhe në vitet 1996-2001, me një interpretim të ashpër të Ligjit islamik të Sheriatit, i cili ka kufizuar ndjeshëm të drejtat e njeriut.

Pavarësisht shqetësimeve, Guterres tha se “është e pamundur të sigurohet ndihmë humanitare brenda Afganistanit pa u angazhuar me autoritetet de-facto, është shumë i rëndësishëm angazhimi me talebanët në këtë moment”.

Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje talebanëve që t’u japin punonjësve të ndihmës qasje të papenguar. /REL/