Site icon Telegrafi

Donat Rudhani dhe Albion Rrahmani thonë se duan tri pikët kundër Rumanisë, kanë edhe nga një mesazh për ‘Dardanët’

Dy nga yjet e Kombëtares së Kosovës, Donat Rudhani dhe Albion Rrahmani kanë folur pas stërvitjes së sotme të Dardanëve dhe të dy janë optimist se do t’i marrin të tre pikët në ndeshjen ndaj Rumanisë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Kosova do ta nis edicionin e ri të Ligës së Kombeve me një ndeshje ndaj Rumanisë në në “Fadil Vokrri” të premten, në kuadër të Grupin 2 të Ligës C.

Mesfushori Rrudhani, një nga lojtarët kyç të ekipit kombëtar, ka vlerësuar atmosferën pozitive brenda skuadrës dhe shprehu besimin e tij për sukses ndaj Rumanisë.

“Atmosfera si gjithmonë është e mrekullueshme këtu me Kosovën. Është kënaqësi e madhe dhe krenari të jesh i grumbulluar me Kosovën”, ka thënë fillimisht Rrudhani.

“Stërvitjet e para shkuan shumë mirë, edhepse unë dje nuk isha pjesë e stërvitjes pasi kam luajtur të dielën, por sot ka qenë stërvitje intensive. Angazhim shumë i madh nga të gjithë lojtarët dhe kemi punuar taktikisht”.

“Besoj që mund të presim vetëm fitore. Ne të gjithë jemi të bindur se do ta fitojmë ndeshjen me Rumaninë. E dimë sa çfarë ka ndodhur në ndeshjen e fundit dhe kjo do të thotë se e kemi një motiv shtesë, prandaj besoj se do të fitojmë”.

“Mesazhi për Dardanët? Shumë faleminderit për mbështetjen. Si gjithmonë edhe në humbje edhe në fitore janë gjithmonë prezent dhe kjo është një krenari shumë e madhe për ne dhe mbështetje e madhe për ne si nga Dardanët ashtu edhe nga të gjithë tifozët”, përfundoi lojtari i gjithanshëm i Kosovës.

Edhe sulmuesi Albion Rrahmani, i cili aktualisht është në formë të shkëlqyer me klubin e tij të ri Sparta Praga, ndau emocionet e tij për ndeshjen e ardhshme dhe përkrahjen e madhe që pret nga tifozët.

“Atmosfera është shumë e mirë. Jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë mirë i gjithë grupi. Jemi të fokusuar 100% për ndeshjen hapëse të këtij cikli të ri të Ligës së Kombeve dhe jemi të gatshëm ta bëjmë 100% dhe t’i marrim tre pikët e para”, ka thënë fillimisht Rrahmani.

“Po shpresoj që së pari të më jepet mundësia dhe pastaj do ta jap maksimumin që ta tregoj veten. Jam në një moment shumë të mirë me klubin e ri dhe shpresoj ta kem atë moment edhe në kombëtare”.

“Shpërthimi te Sparta? E kanë pritur shumë mirë, duke ditur se jam edhe transferimi më i shtrenjtë i klubit dhe qysh në dy ndeshjet e para kam shënuar dhe kam bërë asistim. Po shpresoj të mos ndalem e ta ndihmoj ekipin që ta fitojë edhe titullin që është synim i yni”.

“Mesazhi për Dardanët? I presim të gjithë të vijnë e të na përkrahin sepse së bashku mund të arrijmë gjëra të mëdha, ata në tribuna e ne e bëjmë punën tonë në fushë. Forca Dardanët”, përfundoi sulmuesi llapjan. /Telegrafi/

Exit mobile version