Site icon Telegrafi

Donat Rrudhani merr ftesë nga Kosova pas një edicioni të jashtëzakonshëm: Është nder dhe krenari ta përfaqësoj vendin tim

Donat Rrudhani është njëri nga futbollistët ofensivë më në formë të Kosovës në arenën evropiane.

Sulmuesi i talentuar nga Kamenica ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm në Challange League me fanellën e klubit zviceran Aarau.

23-vjeçari ka zhvilluar 37 ndeshje duke shënuar 10 gola e duke asistuar në 12 të tjerë duke treguar formë të mahnitshme.

E falë formës fantastike që ka treguar, Rrudhani ka marrë ftesë nga Përfaqësuesja A e Kosovës për ndeshjet e muajit qershor.

Për Rrudhanin kjo është hera e parë që grumbullohet për ndeshje kualifikuese, pasi ai më parë ishte grumbulluar në kampin e organizuar nga Bernard Challandes në Antalya të Turqisë gjatë muajit qershor të vitit të kaluar.

Në një prononcim për Telegrafin, Rrudhani ka thënë se për të është krenari e madhe që ka marrë ftesë nga Kosova dhe është shpërblim i një punës së madhe që ka bërë.

“Është një emocion shumë i madh për mua që kam marrë ftesën nga Përfaqësuesja A e Kosovës. Ky është momenti që kam ëndërruar gjatë gjithë jetesë prej se kam filluar të merrem me futboll”.

“Kam bërë një punë të madhe deri më tani dhe mundi po shpërblehet nga ftesa që kam marrë. Është nder dhe krenari që ta përfaqësojë vendin tim”, deklaroi Rrudhani për Telegrafin.

Mesfushori ofensivë luajti për Dardanët në sfidat ndaj Guineas dhe Gambias në Turqi, ku ishte më i miri lojtar në ato dy takime dhe mori lëvdata të mëdha nga trajneri Bernard Challandes.

Rrudhani thotë se uron që formë e mirë që e ka pasur në Zvicër ta vazhdoj edhe me Kosovën.

“Jam në formë të jashtëzakonshme, më e mira në karrierën time deri më tani ku deri në xhiron e fundit kemi luftuar për tu ngjitur në Superligë”.

Donat Rrudhani në ndeshjen ndaj Gambias në Turqi

“Shpresoj që formën e mirë ta vazhdoj edhe me Kosovën dhe mezi pres debutimin në ndeshjet kualifikuese”, tha Rrudhani për Telegrafin.

Përkundër se ka kontratë me klubin deri në qershor të vitit 2023, Rrudhani pritet të largohet këtë verë pasi shumë klube nga Superliga e Zvicrës dhe vende tjera si Italia, Franca e Gjermania kanë shprehur interesim për transferimin e tij.

“Interesime ka shumë, por të shohim pasi për momentin jam i fokusuar vetëm tek ndeshjet me Kosovën dhe pas këtyre ndeshjeve pastaj shohim për të ardhmen”, u shpreh Rrudhani për Telegrafin.

Djaloshi nga Kosova kishte dhënë një vit më parë një intervistë për Telegrafin për jetën e tij ku nga një refugjat arriti në futbollin profesionist të Zvicrës. /Telegrafi/

Exit mobile version