Donat Qosja është bërë anëtari më i ri i Akademisë Evropiane të Filmit.
Ky sukses aktorit të njohur i erdhi pas pjesëmarrjes së filmit “Tri dritare dhe një varje” në edicionin e 28 të “European Film Awards”, ku Donati luan njërin nga rolet kryesore.
Në një prononcim për Telegrafin, Donat Qosja shprehet i lumtur për anëtarësimin në Akademinë më të madhe të filmit në Evropë duke zbuluar se ftesa i erdhi befasi.
“Anëtarësimi nuk bëhet duke konkuruar, përzgjedhjen e bënë vetë Akademia dhe në fakt nuk e di se çfarë kriteresh duhet plotësuar për t’u anëtarësuar, por patjetër që duhet të jesh konkurent në Festivalin Evropian të Filmit, ku ne ishim vitin e kaluar me “Tri dritare dhe një varje”, tha aktori, të cilit ky anëtarësim i jep të drejtën që në edicionin e ardhshëm të festivalit të votojë për filmin më të mirë.
Veç të drejtës së votës aktori nga ky anëtarësim ka edhe përfitime dhe angazhime të tjera për të cilat duhet të përcaktohet së shpejti.
Ndryshe sa i përket projekteve vendore, së fundmi Donati ishte i angazhuar në projektin filmik “Home sweet home” , premiera e të cilit do të jepet gjatë muajit prill./Telegrafi/