Ish-presidenti amerikan, Donald Trump tha të shtunën se “rrjedhjet e paligjshme” kanë treguar se ai do të arrestohet të martën dhe u bëri thirrje mbështetësve të protestojnë.
Trump përmes platformës së tij të mediave sociale Truth Social, iu referua disa informatave se së shpejti mund të përballet me akuza të mundshme penale në New York në lidhje me një pagesë për të blerë heshtjen e yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels.
NBC News raportoi të premten se agjencitë e zbatimit të ligjit po përgatiten për një padi të mundshme ndaj ish të parit të shtetit amerikan për në javën e ardhshme.
“Protestoni, kthejeni kombin tonë”, ka shkruar ai.
Trump ka mohuar çdo gjë ndërsa hetimin e zyrës së Prokurorit Demokrat të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, e ka quajtur një vazhdimësi të “gjuetisë së shtrigave” kundër tij.
Kandidati 76-vjeçar për president ka thënë se nuk e ka në plan të tërhiqet nga gara edhe nëse akuzohet. “Absolutisht jo”, tha ai para gazetarëve në një ngjarje politike në fillim të muajit mars.
Një dëshmitar kyç në çështjen aktuale është Michael Cohen, ish-avokati i Trumpit, i cili dëshmoi para jurisë së madhe këtë javë. Cohen u shpall fajtor në vitin 2018 për kryerjen e pagesës së paligjshme ndaj Daniels para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 ndërsa deklaroi se e bëri me kërkesën e ish-presidentit. Ai u dënua me tre vjet burg.
Ndryshe, Trump kishte pranuar se i kishte dhënë 130 mijë dollarë Cohenit ndërsa deklaroi se pagesa ishte e ligjshme. /Telegrafi/