Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka shkarkuar nga detyra Kryetarin e Shefit të Shtabit të Përbashkët, CQ Brown, oficerin më të lartë në vend, si pjesë e një ndryshimi të madh të lidershipit të lartë ushtarak.
“Dua të falënderoj gjeneralin Charles ‘CQ’ Brown për shërbimin e tij mbi 40 vjet në vendin tonë”, tha Trump duke shtuar se edhe pesë oficerë tjerë të lartë do të zëvendësoheshin.
Gjenerali Brown ishte oficeri i dytë me ngjyrë që mbajti këtë post.
Roli i tij ishte këshillimi i presidentit dhe Sekretarit të Mbrojtjes për sigurinë kombëtare, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth kishte thënë më parë se gjenerali Brown duhet të shkarkohet për shkak të fokusit të tij në diversitetin, barazinë dhe programet e përfshirjes në ushtri.
Më vonë të premten, Hegseth njoftoi shkarkimin e dy oficerëve të lartë të tjerë: Shefit të Operacioneve Detare Adm Lisa Franchetti dhe gjeneralit nga Shtabi i Forcave Ajrore, Jim Slife.
Raportohet se Adm Franchetti ishte gruaja e parë që drejtoi Marinën e SHBA-së.
Hegseth tha në një deklaratë: “Nën presidentin Trump, ne po vendosim udhëheqje të re që do të përqendrojë ushtrinë tonë në misionin e saj kryesor të parandalimit, luftimit dhe fitimit të luftërave”.
Ndryshe, Trump njoftoi se do të emëronte Gjeneralin e Forcave Ajrore Dan Caine si kryetarin e ri të shefave të përbashkët të shtabit. /Telegrafi/