Donald Trump ka konfirmuar se Elon Musk do të bashkëdrejtojë departamentin e ri të efikasitetit të qeverisë.
Presidenti i zgjedhur tha të martën se pronari i Tesla dhe X – i cili është gjithashtu njeriu më i pasur në botë – do të punojë me ish-kandidatin presidencial republikan Vivek Ramaswamy për të udhëhequr departamentin, i cili njihet shkurt si DOGE.
Emërimi përmbush një premtim që Trump i bëri miliarderit të teknologjisë pasi ai e mbështeti atë në garën për Shtëpinë e Bardhë dhe shpenzoi më shumë se 119 milion dollarë për të në shtatë shtetet e fushëbetejës.
Në një deklaratë, presidenti i zgjedhur tha se Musk dhe Ramaswamy “do t’i hapin rrugën administratës sime për të çmontuar burokracinë qeveritare, për të minimizuar rregulloret e tepërta, për të shkurtuar shpenzimet e kota dhe për të ristrukturuar agjencitë federale”.
Musk e ka bërë të qartë më parë dëshirën e tij për të reduktuar “shpenzimet e kota qeveritare” dhe në një postim në platformën e tij X sugjeroi se ai mund të shkurtojë deri në tre të katërtat e më shumë se 400 departamenteve federale në SHBA, duke shkruar: “99 është mjaft”.
Në një postim të veçantë ai shkroi: “Kërcënim për demokracinë? Jo, kërcënim për burokracinë”.
Në një varg zgjedhjesh për administratën e tij të dytë, Trump emëroi gjithashtu veteranin e Gardës Kombëtare, Pete Hegseth si sekretar të Mbrojtjes dhe tha se do të emëronte ish-drejtorin e inteligjencës kombëtare John Ratcliffe për drejtor të CIA-s. /Telegrafi/