Avokatët e ish-presidentit amerikan Donald Trump kërkojnë transmetimin e drejtpërdrejtë të procesit gjyqësor të planifikuar për në mars, ndonëse ligji nuk e lejon.
Gjyqi, për të cilin kërkojnë transmetim televiziv, ka të bëjë me pretendimet se Trump kërkoi të përmbyste zgjedhjet e vitit 2020 pasi u mund, transmeton Telegrafi.
Avokatët e tij thanë në mocion se Trump është viktimë e persekutimit nga Shtëpia e Bardhë dhe presidenti aktual Joe Biden, dhe se ata mbështesin përpjekjet e organizatave të lajmeve për të siguruar mbulim të drejtpërdrejtë televiziv të gjyqit, i cili është planifikuar të fillojë në mars 2024.
Rregulli, i cili ka qenë në fuqi për dekada, ndalon transmetimin televiziv të proceseve penale dhe civile të gjykatës federale, në të cilat opinioni në përgjithësi mund të marrë pjesë personalisht.
“Çdo person në SHBA dhe më gjerë, duhet të ketë mundësinë ta studiojë këtë çështje nga dora e parë dhe të shohë se si, nëse ka një gjyq, Trump e shfajëson veten nga këto akuza të pabaza dhe të motivuara politikisht”, thanë avokatët e tij.
Qeveria argumenton se transmetimi televiziv i gjyqit mund të përbëjë rreziqe për procedurat, duke përfshirë lehtësimin e frikësimit të mundshëm të dëshmitarëve dhe juristëve.
Në kërkesat e tyre për transmetim, mediat cituan një shkallë të pazakontë të interesit publik për çështjen dhe pamundësinë e akomodimit të të gjithë të interesuarve në gjyq. /Telegrafi/