Site icon Telegrafi

Dominim absolut i Liverpoolit ndaj Man Cityt – ‘Të Kuqtë’ me meritë avancojnë pas pjesës së parë

Liverpooli po udhëheq me rezultat minimal 1-0 ndaj Manchester Cityt pas 45 minutave në ndeshjen që po zhvillohet në ‘Anfield’.

Që nga minuta e parë të besuarit e Arne Slot treguan më shumë përpjekje për të kaluar në avantazh duke ushtruar presion në tërë fushën.

Rasti i parë serioz në këtë takim shkoi për Dominik Szoboszlai i cili në minutën e 11-të bëri një gjuajtje të fuqishme e cila u prit nga Stefan Ortega.

Një tjetër rast shumë i mirë për gol erdhi vetëm një minutë më vonë, kur Virgil Van Dijk (12’) u ndal nga shtylla.

Pas disa tentimeve të njëpasnjëshme, më në fund puna e palodhshme e lojtarëve të Liverpoolit u shpërblye me gol.

Ishte Cody Gakpo ai i cili shënoi në minutën e 13-të në portën e boshatisur për rezultatin 1-0 pas asistimit të Mohamed Salah.

Në anën tjetër Man City nuk tregoi asgjë në këtë pjesë të parë duke mos arritur që të rrezikojë në ndonjë rast portën e Caoimhin Kelleher.

Mbetet të shihet se si do të shkojë pjesa e dytë, por natyrisht pritet një reagim i mysafirëve teksa Liverpooli do të synojë ta menaxhojë me qetësi epërsinë e krijuar./Telegrafi/

Exit mobile version