Ai ka thënë se këtë e bëri për të mirën e klubit, të cilin nuk dëshiron ta shohë në gjendje të mjerueshme, siç është sot. Arsye tjetër e fortë që e shtyri ta merrte vendimin është edhe kampionati jo i rregullt, përkatësisht “dallaveret” që po bëhen në futbollin kosovar, të cilat, sipas tij, e kanë dëmtuar më së shumti ekipin gjakovar.
“Këto ndeshjet e fundit kam vërejtur kalkulime dhe marifetllëqe, të cilat nuk i duhen futbollit kosovar. Në futbollin tonë ka tendenca dhe neve na kanë dëmtuar më së shumti”, ka thënë Domi, ndërsa citon Express, duke shtuar se nëse në ndeshjet e ardhshme do të ketë drejtësi, Vëllaznimi mund të mbetet në ligë.
Domi nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit te Vëllaznimi në të ardhmen, por shpreson të ndryshojnë shumë gjëra në futbollin kosovar. Bashkë me të, dorëheqje ka ofruar edhe ndihmësi, Mustafa Domi. Aktualisht, Vëllaznimi gjendet në pozitën e parafundit në tabelë me vetëm 22 pikë të grumbulluara. /Telegrafi/