Site icon Telegrafi

Domethënia e rezultatit të zgjedhjeve lokale në Turqi

Numërimi i deritanishëm i votave tregon se partia AKP e Presidentit turk Erdogan ka humbur kontrollin e disa qyteteve kryesore në zgjedhjet lokale të së dielës. Presidenti Erdogan ka vënë në dyshim rezultatin e zgjedhjeve në Ankara dhe Stamboll, por shumë analistë thonë se votimet i kanë dhënë atij tashmë një goditje të qartë. Shërbimi në gjuhën turke i Zërit të Amerikës bisedoi me analistë politikë për domethënien e rezultateve zgjedhore.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan bëri fushatë për kandidatët e partisë së tij. Megjithatë, rezultatet fillestare tregojnë se partia e tij në pushtet humbi terren në tre qytetet kryesore, Ankara, Stamboll dhe Izmir.

“Ata që ndjekin zhvillimet në Turqi dhe shumica e njerëzve atje janë të tronditur nga humbja e Erdoganit dhe AKP-së në Stamboll”, thotë Nate Schenkkan, drejtor për studimet e posaçme në organizatën “Freedom House”.

“Mendoj se më e rëndësishmja është se u dëshmua që megjithëse zgjedhjet në Turqi janë të padrejta, ato janë gjithashtu edhe reale dhe konkurruese”, thotë Ozgur Unluhisarcikli, i organizatës “German Marshall Fund”.

Kandidati i partisë opozitare CHP në Stamboll, Ekrem Imamoglu, udhëheq aktualisht me 25 mijë vota më shumë, por partia e Presidentit Erdogan ka bërë kërkesë për rinumërim.

“Duket se AKP-ja nuk po e pranon dot se ka humbur zgjedhjet”, thotë Schenkkan.

Erdogani ka dominuar politikën turke për mbi një dekadë, por analistët thonë se rezultatet e tij në ekonomi po dëmtojnë popullaritetin e tij.

“Ata kërkojnë përgjigje të vërteta dhe jo vetëm premtime, për çështje si rënia e pandalshme e ekonomisë, papunësia, inflacioni në rritje – në veçanti ndaj dollarit. Pra, mendoj se zien pakënaqësia ndaj premtimeve të pambajtura”, thotë Sinan Ciddi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studimet Turke në Universitetin Georgetown.

“Mendoj se kriza ekonomike i ka në nxjerrë në pah shumë prej këtyre tensioneve. Mund të kenë ndërruar anë disa prej votuesve të Erdoganit dhe opozita gjithashtu ka ndërmarrë hapat e duhur”, thotë Schenkkan.

“Mendoj se është irritimi me ekonominë, perceptimi i korrupsionit dhe mbingopja me AKP-në në pushtet”, thotë Lisel Hintz, profesore për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins.

Ekspertët thonë se rezultatet nuk do ta ndryshojnë menjëherë politikën turke në rrafshin kombëtar, por se sinjalizojnë për mundësinë e një transformimi politik.

“Nuk ka dyshim që Presidenti Erdogan do të vazhdojë të dominojë skenën politike. Por, ajo tashmë është bërë më e larmishme. Aty tashmë po shfaqen liderë të rinj, si p.sh. kryebashkiaku për Ankaranë, i cili është i ri, energjik dhe ka një profil të ndryshëm udhëheqësie”, thotë Unluhisarcikli. /voa/

Exit mobile version