Edicioni i dytë i revistës letrare “Jeta e Re” hapet me krijimtarin e Adem Demaçit, shkrimtarin dhe veprimtarin që vdiq më 26 korrik në Prishtinë.
Në shenjë kujtimi e nderimi, ky autor, në një hapësirë prej pesëdhjetë faqesh, është prezantuar me tregimet “Kur Zoti harron”, “Mestani”, “Toka nuk sillet vetëm rreth boshtit të vet” dhe me një sërë fragmentesh të zgjedhura nga vepra “Dashuria kuantike e Filanit”, për të përfunduar me tekstet “Adem Demaçi shkrimtar” të Agim Vincës dhe “Adem Demaçi, mjeshtër i rrëfimit” të Shefkije Islamajt.
Në rubrikën Ligjëratë është një ligjëratë të matematikanit dhe shkrimtarit të njohur argjentinas Guillermo Martinez, me titullin “Borhesi dhe Matematika”.
Rubrika e prozës nis me shkrimtaren dhe gazetaren e njohur kolumbiane, Laura Restrepo. Ajo vjen në këtë numër të revistës me tregimin “Aromë trëndafilash të padukshëm”, kurse Samuel Beket me prozën “Rondo”. Rubrika vazhdon me tregimin “Gjëja pa emër” të nobelistit Vidiadhar Naipaul, i cili ka vdekur para pak kohësh, për të vazhduar me prozat “Prishtina” të Mehmet Krajës dhe “I çliruar shtrëngate” të Bajram Sefajt.
Rubrika e poezisë nis me një cikël poezish të Idea Valerimos, poete, eseiste dhe kritike e njohur uruguajane, për të vazhduar me poetin Yehuda Amishaj, që konsiderohet poeti më i përkthyer hebre pas mbretit David, me poetin Amir Barakan, njërin ndër poetët më të njohur afrikano-amerikanë, si dhe me poetët tanë, Shaip Beqirin, Arif Kutleshin, Agim Hysenin dhe Sevdail Zejnullahun.
Në rubrikën Dossier vjen poetja e njohur italiane Alda Merini. Rubrika nis me një cikël poezish të kësaj autoreje, vazhdon me një pjesë nga Ditari i saj me titullin “E vërteta tjetër”, së cilës i prin një parathënie e Giorgio Manganellit, pastaj me një intervistë me titullin “Vetë jeta është një poemë”, për të përfunduar me vështrimin “Çarja e pandreqshme e gjuhës” të Ambrogio Borsanit.
Në rubrikën e kritikës janë prezantuar një sërë autorësh tanë dhe të huaj. Rubrika nis me tekstin “Vdekja e autorit” të William H. Gassit, shkrimtarit, kritikut dhe filozofit të njohur amerikan, vazhdon me shkrimin “Për leximin e librave të vjetër” të William Fazlitt, shkrimtarit, piktorit dhe kritikut me të famshëm anglez të kohës. Prej autorëve tanë është për t’u veçuar teksti studimor për At Zef Pllumin “Frati i pashallarëve”, i poetit, kritikut dhe i studiuesit Kujtim M. Shala. Rubrika vazhdon me shkrimet “At Gjergj Fishta dhe Millosh Gjergj Nikolla” të Anton Gojçajt dhe “Dritarja dhe dera – dy konotacione semiotike në rrëfimin e Franc Kafkës” të Elmie Novit.
Kësaj radhe me nga një recension janë paraqitur autorët e rinj: Veron Dobroshi, Fatbardhë Hasi, Elda Elezkurtaj, Valire Jasiqi dhe Fjolla Gashi.
Përkthyesit që kontribuuan në këtë numër, janë: Bajram Karabolli, Gëzim Aliu, Alket Çani, Arben Idrizi, Erion Karabolli, Alfred Beka, Fadil Bajraj, Arta Hallaqi, Qerim Ondozi dhe Rrahime Gashi.