Këngëtarja shqiptare, Vesa Luma, ditën e djeshme (e enjte) ka publikuar një pjesë të këngës së saj “I ndaluar”, në të cilën ka trajtuar temën e një dashurie të ndaluar, pavarësisht gjinisë.
Dhe bashkangjitur ka treguar se ishte gjithmonë në përkrahje të komunitetit LGBTQ+.
Kjo ka bërë që të marrë reagime të shumta nga ndjekësit, në mesin e tyre kishte edhe shumë komente negative.
“Zakonisht nuk merrem me komentet në rrjete sociale, se normalisht pas gjithë këtyre viteve, nuk më bëjnë përshtypje por imagjinoni një komunitet (që nuk është i vogël) i përjetojnë këto në lëkurë të vet dhe pa i bërë askujt asgjë thjesht përse duan me qenë të lirë me dashtë këto që t’ia do zemra”, tha Luma në reagimin tjetër të shpërndarë në InstaStory.
“Më fal, por nëse ti je i lumtur me familjen tënde, me burrin apo gruan tënde, siç jam unë me burrin time atëherë çfarë po të pengon shtrati i tjetrit? Edhe po… prapë jam krenare që përkrahi dashurinë para urrejtjes”, tha tutje ajo.
Fjalët e Lumës vijnë pas zhurmës për Projektkodin Civil që rregullon bashkëjetesën mes personave të gjinisë së njëjtë.
“I ndaluar” nga Vesa është lansuar saktësisht më 24 shkurt të vitit 2017. /Telegrafi/