Sigal Prishtina përfundoi garat në vendin e katërt të Final Four të Ligës ballkanike të basketbollit (BIBL), pasi që ne duel për vendin e tretë u mposht nga përfaqësuesi bullgar, Ballkan Botevgrad (73-79).
Pas lojës, në konferencën për shtyp u paraqit trajneri maqedonas i Prishtinës, Marin Dokuzovski.
“Mendoj se pas humbjes nga Galil, duke pasur parasysh se kishim një dëshirë të madhe për të arritur në finale, motivi kishte rënë. Lojtarët ishin të lodhur emocionalisht. Ishte shumë vështirë për t’i rikuperuar psiqikisht për lojën që nuk kishte kuptimin e njëjtë për tifozët dhe klubin tonë”, tha ai.
“Fakti se kemi qenë në Final Four është sukses i madh. Për më shumë sukses ke nevojë për diçka tjetër. Nuk kishim mjaft eksperiencë në këtë ligë dhe kjo shihej sepse për lojtarët ishte vështirë për ta përballuar këtë presion në ditët e fundit deri sa pritjet ishin të mëdha”.
“Dua të falënderoj tifozët dhe menaxhmentin tonë që kanë bërë një organizim të mirë. Gjithashtu dua të uroj kolegun tim Aleksandar Todorov për fitore”, tha Dokuzovski. /Sporti/Telegrafi/