Një vit përpara se Enver Hoxha të vdiste, Ramiza Alia tashmë kishte marrë në dorë frenat e shtetit komunist dhe u shpalli drejtuesve të Byrosë se udhëheqësi që për 40 vjet kishte drejtuar vendin është drejt vdekjes.
Gazata “TemA” sot publikon pjesën e dytë të Dossierit, ku publikohet një material sekret i mbledhjes së Byrsë Politike, ku Alia flet me detaje për sëmundjen e Enverit, madje thekson se sipas të gjitha gjasave ai do të mungojë në 45 vjetorin e çlirimit të SHqipërisë, çka do të cilësohet si një shenjë e rëndë politike.
Alia insiston që Enveri të vijë edhe nëse është në gjendje të rëndë shëndetësore. Më poshtë po publikojmë procesverbalin e plotë….
MBLEDHJA E DYTË
“Tepër sekret, i rëndësisë së veçantë”
Proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i datës 11 nëntor 1984
Këtë mbledhje të Byrosë Politike e thirri Sekretari i KQ të PPSH-së, shoku Ramiz Alia, për të informuar shokët kryesorë të udhëheqjes së partisë mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver.
Ata u mblodhën në sallën e vogël të pushimit, në katin e sipërm, dhe fjala e shokut Ramiz u stenografua.
Shoku Ramiz Alia: Mendova të bisedoja me të gjithë ju, shokë për t’ju informuar mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver. Të gjithë e keni ndjekur dhe në përgjithësi jeni në dijeni për gjendjen e tij shëndetësore. Tani dëshiroj t’ju bëj të njohur që të keni parasysh edhe si qëndron kjo çështje ditët e fundit, pse siç e patë dhe vetë, në mbledhjen e Plenumit të 9-të të KQ në 27 shtator gjendja e tij është rënduar ca. Shëndeti i shokut Enver karakterizohet nga një dobësi e përgjithshme e organizmit. Rezistenca e tij fizike ka rënë mjaft, gjë që siç e patë, shprehet deri në të folurin e tij me vështirësi.
Këtë gjendje ai na e ka vënë edhe vetë në dukje, kur erdhi herën e fundit në aparat dhe midis të tjerash na tha se ka dëshirë të na flasë për shumë gjëra, por nuk flet dot. Kohët e fundit shokut Enver i janë vështirësuar edhe lëvizjet e gjymtyrëve. E vërteta është se gjatë këtyre ditëve ai pati edhe njëfarë gripi, që natyrisht ka ndikuar jo për mirë në rëndimin e kësaj gjendjeje. Për të gjitha këto arsye mendova t’ju vija në dijeni juve shokë të Byrosë për të pasur një tablo të plotë mbi këtë gjendje. Burimi kryesor i rënies shëndetësore të shokut Enver është sëmundja e diabetit. Sikurse e dini të gjithë, ai vuan prej një kohe të gjatë që nga viti 1948, nga diabeti.
Kjo sëmundje në përgjithësi i ka prekur enët e gjakut, duke ia pakësuar mundësinë e qarkullimit, gjë që i dobësuar organizmin. Mjekimet kundër kësaj sëmundjeje i janë bërë vazhdimisht me rigorozitet. Po ato i janë bërë në rregull edhe në sajë të rigorozitetit dhe të vullnetit e kujdesit të vazhdueshëm të vetë shokut Enver, i cili u është përmbajtur me përpikëri rekomandimeve të mjekëve dhe i ka zbatuar këshillat e tyre me një disiplinë shembullore. Kjo ka bërë të mundur të shmangeshin për një kohë të gjatë ato efekte negative që mund të vërtetoheshin shumë më shpejt po të lihej pas dore terapia e caktuar.
Sidoqoftë, këtu te diabeti qëndron burimi kryesor i gjendjes së vështirë që po kalon tani shoku Enver. Si rrjedhim i sëmundjes së diabetit, shoku Enver ka kaluar një infarkt të miokardit 11 vjet më parë, në tetor 1973. Shumë nga shokët këtë ngjarje nuk e dinë, po një pjesë e mirë, si Adili, Manushi etj., kanë dijeni për këtë sëmundje nga e cila u prek ai në atë kohë. Edhe në këtë rast, shoku Enver u mjekua me shumë kujdes dhe përsëri duhet vënë në dukje se ka qenë gjithashtu shumë i disiplinuar në zbatimin e kurave. Mund të them madje, se atëherë u trajtua me aq efektivitet kundër infarktit, saqë më vonë nuk ka pasur më asnjë shqetësim dhe ka vazhduar të punojë normalisht.
Duhet përmendur se përpara tre vjetëve, aty nga viti 1980-1981, kanë filluar t’i duken disa fenomene të tjera të quajtura edema pulmonare, që s’janë gjë tjetër veçse grumbullim ujërash në mushkri që i shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje. Për këtë arsye mjekët tanë kanë qenë të detyruar të merrnin herë pas here masa për shkarkimin e ujërave të tepërta nga mushkëritë, që të lehtësohej dhe të rikthehej në gjendje normale.
Shkaku i edemave pulmonare vjen nga dobësimi i muskulit të zemrës, që nuk ka fuqinë e duhur për të thithur ujërat e tepërta që i krijohen në mushkëri dhe i shkaktojnë vështirësitë në të marrit frymë. Nga fillimi i këtij viti, pati një periudhë që këto fenomene iu bënë më të shpeshta dhe e rënduan gjendjen e tij shëndetësore, por ky fenomen tani nuk po vihet re më. Siç jeni në dijeni, në shkurtin e këtij viti shoku Enver pati edhe një ishemi cerebrale.
Pali me Muhon nuk ishin kur ne u mblodhëm të nesërmen me këtë rast. Megjithatë, edhe ata mësuan për atë moment tepër të rrezikshme, për jetën e shokut Enver, por gjendja u dominua mirë, në sajë të ndërhyrjes shumë të shpejtë e shumë efektive të mjekëve tanë. Pas kësaj goditjeje, shoku Enver u përmirësua, por duhet pranuar se në përgjithësi gjendja e tij shëndetësore erdhi duke u keqësuar, pasi ishemia i krijoi vështirësi në lëvizjen e
gjymtyrëve të këmbës dhe të dorës, që iu prekën, dhe i është krijuar një lodhje e përgjithshme.
Për këtë arsye, disa herë i kishim propozuar shokut Enver të sillnin nga jashtë mjekë për ta vizituar. Kam biseduar unë vetë veçanërisht me të, ka biseduar veçanërisht gjithashtu Nexhmija, në të njëjtën kohë kemi biseduar një herë tjetër të dy bashkë me Nexhmijen, po ai nuk e ka pranuar kurrsesi propozimin tonë. Ai e argumenton me dy arsye.
Së pari, me besimin e plotë që ka te mjekët tanë, në diagnozën që i kanë bërë ata dhe në mjekimin që i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë. Së dyti është pastaj aspekti politik i këtij hapi, që ai mendon se duhet parë me kujdes para se të veprohet. Edhe pa marrë mjekë nga jashtë, të gjithë kemi parë çfarë shkruan shtypi në botë rreth gjendjes së personit të tij, madje një gazetë greke aty një muaj më parë shkruante sikur kishte vdekur.
Edhe televizioni italian ka folur për gjendjen e rëndë shëndetësore të shokut Enver. Pra pa sjellë mjekë dhe bëhet zhurmë jashtë, prandaj merret me mend çfarë mund të flitet e të shkruhet pastaj në opinionin botëror sikur të thërritet ndonjë. Duhet pasur parasysh pastaj, në radhë të parë, shqetësimi që do të shkaktohej në popullin tonë.
Dy-tri javë përpara biseduam përsëri me shokun Enver, e më së fundi ai pranoi të bëhet diçka në këtë drejtim, po jo të vinin këtu mjekë të huaj për ta vizituar, por të dërgoheshin jashtë, në Francë, mjekët tanë për të bërë një konsultë me specialistët francezë. Për këtë arsye dërguam në Paris tre nga mjekët tanë që merren me kurimin e shokut Enver, mjekun e tij personal Isuf Kalon, mjekun kardiolog Ylli Popën dhe Bajram Prezën, si neurolog që ka ndjekur kurat kundër ishemisë cerebrale.
Mjekët tanë morën të gjitha të dhënat e nevojshme dhe me anën e ambasadës sonë në Paris, organizuan një konsultë me kryetarin e Shoqatës Francë-Shqipëri, mjekun profesor Pol Miliezin në krye, të cilit i folën hapur dhe natyrisht në mënyrë konfidenciale, se fjala ishte për shokun Enver. Kjo u bë që ai me ekipin e tij të kuptonin se duhej ruajtur sekreti i çështjes, prandaj iu theksua se vetëm ata e dinin këtë gjë.
S’ka dyshim se qeverisë së tyre, specialistët francezë do t’i kenë folur, po të paktën në shtyp ata nuk mund të thonë gjë, se një gjë e tillë do të ishte shumë negative për ta. Kështu pra, specialistëve francezë iu paraqit gjithë dokumentacioni, duke filluar që nga historiku i sëmundjes, elektrokardiogramet që i janë bërë gjatë kësaj kohe etj. Dihet se në mjekësinë moderne nuk ecet më me metodat e vjetra, duke i vënë veshin ose prekur trupin e të sëmurit; sot bëhen më parë analizat e nevojshme dhe mbi bazën e tyre organizohen konsulta.
Kështu u veprua atje edhe për rastin e shokut Enver, dhe kjo konsultë ishte shumë efektive. Ç’doli prej saj? Të gjithë specialistët francezë në konsultë ishin plotësisht të një mendimi me diagnozën e mjekëve tanë nga fillimi e deri në fund. E dyta, të tërë ishin dakord me mënyrën e mjekimit, me terapinë që është ndjekur, qoftë kundër diabetit, ashtu edhe me atë për forcimin e zemrës, kundër edemave etj… Madje specialistët francezë thanë se, edhe sikur vetë ta kishin ndjekur pacientin, vështirë se mund të bënin më tepër nga këto që kanë bërë mjekët tanë, të cilët kanë përdorur teknikën moderne të mjekimit dhe ilaçet e fundit që kanë siguruar i kanë dhënë në dozat e përshtatshme me efikasitet.
Jo se ne kishim ndonjë dyshim në trajtimin e mjekëve tanë ndaj shokut Enver, sepse kurdoherë kemi qenë të bindur që efektiviteti i mjekimeve nga ana e tyre ka qenë i mirë, po fakti që edhe specialistët francezë kishin të njëjtin mendim me tanët, na qetësoi dhe na bindi se nuk kemi të bëjmë me ndonjë gjë tjetër. Për sa i përket zemrës, si mendimi i specialistëve francezë, ashtu edhe i tanëve është i njëllojtë. Ky organ ka arritur në fazën e një insuficience të theksuar, muskuli i zemrës është dobësuar së tepërmi dhe është pikërisht ky burimi i pafuqisë së përgjithshme që ka deri tani shoku Enver.
Pra faktori kryesor në këtë gjendje që shkakton edhe fenomenet e tjera negative të shokut Enver, është zemra. Madje kur u diskutua për diagnozën, francezët thanë se ishemia cerebrale që goditi disa muaj përpara shokun Enver, aty e ka burimin, nuk kemi të bëjmë me stenozë të arteries karotide, siç kishin menduar mjekët tanë. Francezët anojnë më shumë në pikëpamjen që kjo gjendje është pasojë e një embolie kardiake. Nga pikëpamja objektive, kjo nuk luan ndonjë rol, po specialistët francezë janë të bindur se të gjitha këto fenomene kanë ardhur nga zemra. Vetëm në këtë çështje u bënë diskutime midis specialistëve francezë dhe tanëve, nuk pati ndonjë problem tjetër.
Mjekët tanë edhe për sa i përket fenomenit të heqjes zvarrë të këmbës dhe dredhjes së dorës, kanë menduar se mos kemi të bëjmë me ndonjë fenomen të sëmundjes së Parkinsonit. Edhe në këtë çështje tanët nuk konkordonin me francezët. Këta janë të mendimit se te shoku Enver nuk kemi të bëjmë me këtë sëmundje. Heqja zvarrë e këmbës dhe dridhja e dorës janë pasojë e dobësimit të organeve kardiovaskulare, sidomos dobësimit të zemrës.
Specialisti francez që foli për Parkinsonin, shprehu mendimin se e tillë është pikëpamja e tij duke u bazuar në të dhënat që u paraqitën, se për të dhënë një mendim të saktë, ai kërkoi që ta shikonte vetë pacientin. ‘Megjithëse nuk kemi të bëjmë me sëmundjen e Parkinsonit, – tha ai, – mendoj se kura kundër kësaj sëmundjeje, po të vërtetohet, është bërë mirë’. Nga pikëpamja e terapisë, francezët rekomandojnë pra të njëjtat ilaçe të dhëna nga mjekët tanë, me ndonjë ndryshim fare të vogël në dhënien e ndonjë ilaçi të së njëjtës familje.
Për shembull, ata e dinë se shoku Enver e ka qejf përdorimin e kripës në ushqime, ndërsa mjekët tanë e kanë këshilluar të mos e hajë. Mirëpo, duke i dhënë ushqime pa kripë, ai nuk i ha. Mjekët francezë thonë se në kushtet e tij, sidomos neve na intereson që pacienti ta hajë të tërë ushqimin e nevojshëm, prandaj le të marrë edhe ca kripë, se pas buke i japim ilaç që ta shkarkojë. Mirëpo ilaçi që iu tha për shkarkimin e kripës atë e lodhte shumë. Kur tanët ua vunë këtë në dukje francezëve, ata e rekomanduan të përdorej një diuretic me efekt të vonuar.
Këtu qëndronin ndryshimet në terapinë midis specialistëve francezë dhe mjekëve tanë. Asnjë gjë tjetër esenciale nuk ka midis tyre, dhe kjo është shumë pozitive, se tregon që trajtimi nga mjekët tanë ka qenë dhe është shumë korrekt. Megjithëse mjekimet edhe kundër Parkinsonit shoku Enver i janë bërë në rregull, për të hequr merakun pardje biseduam me shokun Enver që ta thërrisnin profesorin specialist për këtë sëmundje, por ai nuk ishte dakord, madje siç më tregoi Nexhmija, një ditë më parë kishte biseduar edhe ajo vetë për këtë çështje me të. ‘Përse të vijë?’, na tha ai. Po ne i shprehëm mendimin se, nuk humbasim ndonjë gjë sikur të vinte, se francezët tani i dinë të gjitha këto që dinë mjekët tanë dhe ne do të marrim masa që asnjeri të mos e marrë vesh një gjë të tillë, duke e sjellë mjekun francez si turist. Sidoqoftë, me ca zor, por e bindëm.
Kjo as shton as pakëson gjë, se mjekimet i janë bërë në rregull edhe kundër Parkinsonit, madje francezët thanë se keni bërë shumë mirë që ia keni filluar edhe këtë kurë, mbasi ilaçi i përdorur nuk sjell asnjë dëm edhe sikur mos ta ketë këtë sëmundje. Të gjitha këto që jua thashë, shoku Enver i di, po jo në këtë shkallë shqetësuese që ju tregova. Kështu, për specialistin francez që është thirrur të vijë, nuk i kemi thënë se do ta vizitojë për Parkinsonin, po për të parë mënyrën e dhënies së kurave. Edhe për insuficiencën e theksuar kardiake, gjithashtu nuk i kemi folur me atë seriozitet që është gjendja e tij, dhe duhet njohur se kjo gjendje është shumë serioze, prandaj duhet të jemi të gjithë shumë të ndërgjegjshëm, megjithëse shokut Enver ia kemi treguar në mënyrë të moderuar gjendjen e tij.
Terapia e re që është filluar, t’i bëhet, mund të sjellë ndonjë përmirësim, dhe ne urojmë që shoku Enver ta marrë veten. Po këtë do ta shikojmë. Në këto kushte, natyrisht edhe gjendja e tij shpirtërore ka ndryshuar. Shoku Enver është bërë i ndjeshëm. Ja, kur vajta pardje dhe po i flisja për pusin e ri fontanë që është hapur, filloi të ngashërehet dhe u prek shumë.
Gjithashtu, sa sheh diçka në TV, preket. E tillë është edhe sëmundja. Në këtë gjendje ne kemi ndjekur e do të ndjekim rrugën që të mos e rëndojmë me punë shokun Enver mbi mundësitë e tij fizike të tanishme; do ta ngarkojmë me aq sa mund ta përballojë për të mos i sjellë asnjë vështirësi. Unë jam përpjekur për ta mbajtur në korent të punëve, natyrisht shumë shkurt dhe pa e futur në hollësi. i shkoj vazhdimisht në shtëpi dhe ai vetë më merr ndonjëherë në telefon. Edhe shokun Adil e merr në telefon, dhe ky gjithashtu i dërgon vetëm ndonjë material të domosdoshëm.
Pra duke marrë parasysh gjendjen e rëndë shëndetësore të shokut Enver, jam përpjekur të mos e ngarkoj, por ta vë në dijeni për problemet e aspektit politik, pa e futur në detaje. Këtë praktikë do ta ndjekim edhe në të ardhmen që të mos e rëndojmë. Madje tani na del problemi i Spartakiadës, që do të bëhet me rastin e 40-vjetorit të Çlirimit, ku është e domosdoshme që ai të marrë pjesë, pasi me daljen e tij në publik, e kërkon interesi i partisë. Në këtë manifestim të madh fizkulturor do të jetë tërë populli dhe rinia e Tiranës që ka dëshirë të shikojë Komandantin. Për këto arsye u detyrova ta shtroj para jush këtë çështje, mbasi jemi përpara situatave të reja.
Ne i kemi marrë të gjitha masat për të siguruar daljen e tij para publikut të kryeqytetit pa i krijuar asnjë vështirësi, se ecjen në tribunën e stadiumit ia kemi siguruar ta bëjë në rrugë
fare të shkurtër dhe horizontale, vetëm 6-7 hapa, derisa të zërë vend në kolltukun ku do të ulet dhe andej nuk do të lëvizë më deri në mbarim të manifestimit. Ndonjë shok mund të ketë mendimin që të shtyhet edhe ca ditë më tutje Spartakiada, por duhet kuptuar mirë se këtu nuk kemi të bëjmë me një sëmundje gripi, fjala vjen që zgjat ca ditë, i sëmuri përmirësohet dhe del përsëri në punë.
Gjendja e shokut Enver është ndryshe. Ai po kalon tani disa vështirësi më të mëdha nga sa kishte përpara, gjë që e vutë re të gjithë në seancën e parë të Plenumit të 9-të të KQ të Partisë, megjithëse atë ditë ai erdhi në mbledhje me këmbët e veta, kurse tani e ka më të vështirë të ecë. Sidoqoftë, çështjen e daljes së tij në manifestim do ta shohim, vetëm dua të them se kjo ka rëndësi të madhe mbasi të gjithë dëshirojnë ta shohin atje, dhe jo vetëm populli i Tiranës, po i tërë Shqipërisë.
Në stadium ne do të vendosim për këtë qëllim aparaturat e televizionit si në të gjitha rastet e këtij lloji. Prandaj do të përpiqemi ta rregullojmë daljen e tij me qëllim që populli të gëzohet. Megjithatë, çështjen do ta shohim ditët e ardhshme. Unë mendoj që edhe sikur ta shoqërojë njeri për krahu, nuk ka gjë. Pastaj e marrin të gjithë me mend që si mosha edhe sëmundja i kanë këto fenomene. Sidoqoftë, për pjesëmarrjen e tij në Spartakiadë kemi akoma edhe shumë ditë kohë për të vendosur, prandaj të mos shpejtohemi. Të them të drejtën, nuk mundja ta mbaja vetë këtë shqetësim, prandaj ju mblodha t’jua thosha të gjitha këto që ta dijë Byroja Politike.
Megjithatë, mjekët tanë janë në krye të detyrës dhe vetë shoku Enver me shumë rigorozitet zbaton të tëra kurat që i japin ata. Të gjitha këto që thashë duhet t’i mbajmë për vete. Tani të vëmë të tëra forcat për të kryer në këto kushte detyrat. Ky do të jetë edhe lehtësimi më i madh për gjendjen e tij, që të mos e shqetësojmë për problemet e mëdha që kemi përpara dhe që na shqetësojnë të gjithëve, por ca më shumë atë. Prandaj, sa më shumë suksese të kemi në punët e Partisë dhe të shtetit, aq më tepër do të ndikohet pozitivisht dhe në përmirësimin e gjendjes shpirtërore dhe fizike të shokut Enver. Kjo do të jetë e mirë për të dhe kjo është tani detyra jonë kryesore. Të gjitha shërbimet ne po ia bëjmë e do t’ia bëjmë, dhe shpresoj që shoku Enver ta kapërcejë këtë vështirësi në sajë të kujdesit që po tregohet dhe të ilaçeve që i janë siguruar, dhe për ta marrë veten, gjë që do të jetë me shumë rëndësi për Partinë.
Tiranë, më 15.10.1984 /TemA/