Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd publikoi një dokumentar ku akuzon kreun e Ushtrisë Serbe, Lubisha Dikoviq, për përfshirje në krime lufte në Kosovë dhe për operacionet për fshehjen e trupave më pas.
Dokumentari i ri, i publikuar nga Qendra për të Drejtën Humanitare të martën, pretendon se rreth 1,400 civilë u vranë në vitin 1999 në zonën e Kosovës, e cila ishte nën kontrollin e Brigadës 37 të Ushtrisë Popullore Jugosllave, e cila në atë kohë drejtohej nga Lubisha Dikoviq.
Dokumentari prej 23 minutash i titulluar “Gjenerali Dikoviq dhe Brigada e 37-të e Kosovës” bazohet në dëshmitë e viktimave dhe dokumentet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, por gjithashtu në hulumtimet e kryera nga HLC-ja gjatë punës e saj për dy dosjet “Lubisha Dikoviq“ dhe “Rudnica”, që u publikuan në vitin 2012 dhe 2015.
Ministria serbe e mbrojtjes dhe Dikoviqi, i cili tani është shefi i shtabit i Ushtrisë Serbe i kanë mohuar akuzat.
Provat e HLC-së tregojnë rolin e Ushtrisë Jugosllave në vrasjet masive të civilëve shqiptarë në Izbicë, Qirez, Savarinë, Rezallë dhe fshatra të tjerë në rajonin e Drenicës, përcjell kallxo.com.
Disa nga eshtrat e një sërë viktimave u zbuluan më vonë në varre masive në Serbi.
Dyzetë e shtatë trupa viktimash u gjetën ën vitin 2014 në një varr masiv në guroren e Rudnicës, pranë qytetit të Rashkës në Serbinë veriore.
Sipas HLC-së, Brigada e 37-të ishte përgjegjëse për largimin e trupave nga fshatrat Rezallë, Çikatovë e Vjetër, Zabel i Ulët dhe Gllanasellë në një tentativë për të mbuluar krimin.
Krimet e kryera nga Brigada e 37-të u trajtuan pjesërisht gjatë gjyqit të ish-presidentit serb, Milan Milutinoviq, dhe ato të zyrtarëve të tjerë të lartë në Gjykatën e Hagës, por askush nga brigada nuk u ndoq kurrë penalisht.
Prokuroria serbe ka deklaruar se ka nisur një hetim për dhunën në Rezallë, por deri më tani nuk është lëshuar asnjë padi.
Dikoviq paditi HLC-në për pretendimet në dosjen e vitit 2012 dhe iu dhanë rreth 4,500 euro dëmshpërblim për atë që gjykata e Beogradit vendosi se ishte dëmtim i reputacionit të tij.
Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, tregohet në dokumentarin e HLC-së duke u thënë gazetarëve se ai “personalisht është i bindur se z. Dikoviq nuk është një kriminel lufte”.
HLC tha se ajo e postoi dokumentarin në YouTube të martën pasi disa kanale televizive në Serbi, përfshirë edhe radiotelevizionin publik Radio Televizioni Serbia dhe Radio Televizioni Vojvodina “refuzuan ose nuk i janë përgjigjur kërkesës për ta transmetuar atë dokumentar”.