“Ky film është një dokumentar ndryshe. Përse e them këtë? E them sepse ka disa vite që në filmat e mi dokumentarë (disa prej tyre) përparësi themelore merr imazhi i filmit dhe jo teksti që i bashkëngjitet këtij imazhi, që ilustron dhe komenton atë. Në filmin në fjalë mungon tërësisht komenti me tekst, por mendimet dhe idetë e autorit transmetohen te spektatori nëpërmjet imazhit, zërit të personazhit apo sekuenca mendimi të bashkëkohësve të tij”, thotë ai.
Sipas tij, filmi për gjeneral Ramush Haradinajn nuk është dokumentar klasik, ku narratori zë e rrëfen jetën dhe veprën e personazhit nga lindja e këtej.
“Është një rrëfim artistik, mbështetur në momentet më të qenësishme të jetës së personazhit dhe familjes së tij, pa respektuar ndonjë rend kronologjik… Është Haradinaj që tregon, janë njerëzit e thjeshtë që flasin për të, janë dhe bashkëluftëtarët që gjykojnë mbi të… dhe duke i vlerësuar të gjitha bashkë, ne ndërtojmë episode emocionale të mbështetura në metafora artistike, simbole apo krahasime filmike, pra në atë që ne e quajmë gjuhë të pasur filmike. Tërë këta elementë të marrë së bashku, si dhe mënyra origjinale e rrëfimit, bëjnë atë që filmi të jetë ndryshe ose thënë artistikisht… një rrëfim emocional dhe artistik për këtë figurë emblematike”.
Ai thotë se miqtë, njerëz të afërt me Haradinajn, ia ofruan dokumentacionin e nevojshëm.
“Hap pas hapi, shkallë pas shkalle, ndodhi pas ndodhie, figura e tij m’u bë e afërt dhe shpesh u thoja bashkëpunëtorëve të mi se po më duket vetja edhe mua si pjesë e UÇK-së”.
Dokumentari zë fill në Gllogjan, pastaj përshkon tërë krahinën monumentale të Rrafshit të Dukagjinit, përfshin Shqipërinë me Tiranën në krye, kryeqytetet e mëdha të Evropës për të popullarizuar bashkimin shqiptar, si dhe përplasjet në Tribunalin e Hagës, për t’i dhënë luftës së popullit shqiptar të Kosovës, certifikatën e pafajësisë dhe të drejtësisë.
“Është një rast unikal jo vetëm në botën shqiptare, por edhe në Ballkan edhe më gjerë, që një kryeministër të japë dorëheqjen vullnetarisht, të shkojë po vullnetarisht për t’u përballur me drejtësinë dhe të kthehet triumfator prej andej. Ky veprim, siç thotë një studiues në film, është një rast unikal i një burrështetasi të shquar”.
Regjisori thotë se rrëfimtari (pra Ramush Haradinaj) shpalos me thjeshtësi, emocion dhe respekt të thellë dashurinë e tij të pakufishme për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Sa herë xhironim episode apo sekuenca të tilla unë si regjisor shihja në portretin e tij, në sytë dhe vështrimin e tij një emocion të madh. Dhe teksa xhiroja, mendoja se te ky njeri, që i dha luftës jo vetëm gjakun e tre vëllezërve, por sakrifikoi gati gjithë familjen e tij, ndjenja e mirënjohjes për Shqipërinë dhe shqiptarët është kthyer në virtyt”.
Për të, një film për luftën e Rrafshit të Dukagjinit, për familjen Haradinaj dhe për vetë Ramush Haradinaj, tani gati 15 vite pas përfundimit të luftës, nuk ishte e lehtë.
“Është një luftë unikale në llojin e vet, sepse në ndryshim nga shumë epope të zhvilluara më parë kundër shumë lloj pushtuesish, është një luftë që i solli lirinë dhe pavarësinë gati gjysmës së trojeve shqiptare të mbetura padrejtësisht jashtë trungut mëmë, për gati 100 vjet”, thotë ai. “E them me bindje se patëm fatin dhe rastin të njohim një njeri të madh që në bazë të madhështisë së vet, ka një thjeshtësi marramendëse”. /Gazeta Shqip/