Më 2 prill 1981, në Prishtinë do të vriten nxënësit Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, që ishin organizatorë të nxënësve të Shkollës së Mesme Elektroteknike. Që të dy këta nxënës ishin pjesëtarë të ilegales (OMLK).
“E humbëm djalin, vëllain dhe udhërrëfyesin tonë. Mirëpo, ishim krenarë, sepse iu bashkëngjit vargut të dëshmoreve të brezave”, ka thënë më herët për Telegrafin, veterani i UÇK-së – Bujar Hajrizi, vëllai i Naserit.
Me rastin e 36-vjetorit të rënies së Hajrizit, është realizuar dokumentari “Për ty, Atdhe”!
Në këtë dokumentar flitet edhe për familjen Hajrizi nga gjiri i së cilës dolën shumë persona të cilët me aktivitetin e tyre patriotik ishin në shërbim të vatanit. Pjesëtar i kësaj familjeje, xhaxhai i Naserit, është edhe Mehmet Hajrizi – i burgosuri politik dhe udhëheqësi i grupit më të fuqishëm ilegal të asaj kohe, OMLK.
Në këtë dokumentar flasin familjarët, pedagogët, shokët e klasës, aktivistët dhe pjesëtarët e ilegales së dikurshme, ish-të burgosurit politikë, miq dhe veprimtarë të çështjes së Kosovës. Në dokumentar shfaqen edhe foto të papublikuara dhe gjësendet që i kanë takuar Naser Hajrizit. /Telegrafi/
AA Vision/ Agim Sylejmani: “Për ty Atdhe” Film dokumentar për dëshmorin Naser Hajrizin from qazim doda on Vimeo.