Site icon Telegrafi

DokuFest uron ekipin e  filmit dokumentar “No Other Land” për fitimin e çmimit Oscar

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, DokuFest ka uruar ekipin e  filmit dokumentar “No Other Land” për fitimin e çmimit Oscar.

Në ceremoninë e 97-të të ndarjes së Çmimeve të Akademisë së Filmit ky krijim është shpallur si filmi më i mirë dokumentar.

“Një film që ka prekur audiencën e DokuFestit tani ka prekur gjithë botën!”, ka bërë të ditur DokuFest, duke theksuar se me krenari feston fitoren e “No Other Land”, një nga përzgjedhjet e spikatura të edicionit të mbajtur në verën e vitit 2024, raporton Telegrafi.

Dokumentari i regjisorëve Basel Adra, Yuval Abraham, Rachel Szor dhe Hamdan Balal, sipas njoftimit, ofron një rrëfim të drejtpërdrejtë mbi zhvendosjen e palestinezëve në fshatin Masafer Yatta të Bregut Perëndimor. Filmi pasqyron përpjekjet dhe qëndrueshmërinë e atyre që përballen me dëbime të detyruara dhe okupim ushtarak.

“Fitorja e tij në Oscar është një dëshmi e fuqisë së filmit dokumentar për të ndriçuar çështjet urgjente globale. Jemi të nderuar që kemi shfaqur “No Other Land” dhe duam të urojmë gjithë ekipin e filmit për këtë vlerësim të merituar”, thuhet në njoftimin e DokuFest. /Telegrafi/

Exit mobile version