Telegrafi

Dokufest, ndër më të mirët

Filmbërësi dhe kritiku amerikan AJ Schnack, në bazë të komenteve të cilat i ka mbledhur nga kolegët dhe përfaqësuesit e industrisë së filmit nga mbarë bota, për herë të dytë e ka sajuar listën e 25 festivaleve më të mira të globit për vitin 2009, ku “Dokufestin” e ka radhitur në pozitën e 22-të. Në këtë mes janë radhitur edhe festivalet e mëdha të filmit si Festival i filmit në Thessaloniki, Doku Lisboa i Portugalisë, Festivali ndërkombëtar i filmit në Edinburgh, Copehnhagen Dox, Trieca, Berlinale, IDFA, Festivali i Filmit në Toronto e të tjerë.

Vendin e parë e zë festivali i filmit Sundance, themelues i të cilit është aktori, regjisor, producenti i famshëm Robert Redford.

Në ueb faqen “ All These Wonderful Whings” janë botuar edhe disa komente të regjisorëve dhe filmbërësve që e kanë vizituar “Dokufestin” të cilët kanë komentuar për organizatorët e festivalit, përshtypjet e fituara nga shikimi i filmave në kinematë e hapura, emetimi i filmave dhe atmosfera e ambientit historik të qytetit.

“Sinqerisht, më duhet të them se kjo ishte përvoja ime më e mirë ndonjëherë në një festival. Pjesë e përvojës nga festivali është edhe shëtitja nëpër vendet interesante të këtij qyteti jugor të Kosovës. Atje ka shumë rini. Duket se të gjithë punojnë vullnetarisht në këtë festival. Një pjesë e madhe e filmave projektohen nën qiell të hapur dhe më kujtohet kur e pata shikuar në kinema të hapur një film që kishte për temë luftën e fundit atje. Nëse shikoje sipër projeksionit të filmit mund t’i shihje ndërtesat e bombarduara. Është një nga festivalet relevante që të lë përshtypje të mrekullueshme” –është një nga komentet në këtë ueb-faqe.

AJ Schnack është autor dhe kryeredaktor i ueb-faqes së dedikuar filmave dokumentarë “All These Wonderful Things” (Gjithë këto gjëra të bukura), i cili është krijuar në vitin 2005, dhe për të cilin besohet se është ndër burimet më të lexuara online të filmit. /Telegrafi/