Punëtoria 48 orëshe për krijimin e lojërave e njohur si Game Jam do të nis sot, më 5 nëntor, në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren [ITP] dhe do të vazhdojë deri më 7 nëntor 2021, ditën e diel.
Kjo punëtori, është një nga aktivitetet që i sjell Doku.Tech, konferenca më e madhe e teknologjisë në Ballkan, e cila këtë vit vjen me temën “Dare to be the Change” [Guxoni të jeni ndryshimi]”.
Ceremonia hapëse e Punëtorisë do të mbahet sot, 5 nëntor 2021, në 19:45 në ITP Prizren, për të vazhduar pastaj me hapat e parë në zhvillimin e konceptit të lojërave nga pjesëmarrësit.
Për edicionin e sivjetmë të punëtorisë Game Jam janë përzgjedhur mbi 25 pjesëmarrës të moshave 18 deri në 30 vjeç, të cilët gjatë 48 orëve do të monitorohen nga zhvillues/krijues të njohur lojërash, si Lekë Sahatqija, Alborita Mehana, Visar Spanca dhe Artan Minci.
Përveç kësaj këta të rinj të interesuar në krijimin dhe zhvillimin e lojërave do të kenë mundësi të ndjekin punëtori nga mentorë ndërkombëtarë, si: Thorsten S. Wiedemann, themelues dhe drejtor artistik i Festivalit më të madh të Lojërave në Gjermani ‘A MAZE’, Franziska Zeiner – bashkëthemeluese dhe partnere menaxhuese në FEIN, e cila ka përfunduar studimet e nivelit Master në Dizajnimin e Lojërave në Universitetin e New York-ut, si dhe Marius Winter, dizajnues i video-lojërave nga Berlini.
Ky edicion i Punëtorisë Game Jam po organizohet me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe GIZ Kosova.
Bashkohuni me ne në Doku.Tech dhe na ndihmoni ta vendosim Kosovën në hartën e teknologjisë në botë!