Mjekja shqiptare që jeton dhe punon në Gjermani, Aurora Dollenberg ka thënë se për mjekët e ri nga Kosova që synojnë vendet perëndimore është shumë e vështirë.
Ajo thotë se më pak sesa gjysma e të ardhurave që parashihen në kontratë mbetet neto.
Dollenberg thotë se nga kjo neto rrogë pastaj do hiqen edhe qiratë e larta.
“E vërteta është që më pak se sa gjysma e parave që firmosen në kontrata mbetet neto në gjep. Dhe nga kjo pagë neto pastaj të hiqen qiratë e larta dhe duke pasur parasysh standardet e larta të jetesës në vendet evropiane, në fund të ditës një mjek që emigron në vendet evropiane do të ketë rrogë pesëqind deri një mijë euro mbase më të lartë sesa një mjek në Kosovë”, deklaroi ajo në RTV Dukagjini.
Ajo thotë se për një mijë euro nuk ia vlen të largohesh nga atdheu.
“Nuk ja vlen të largohesh nga atdheu për një mijë euro dhe të shkosh në një shoqëri të huaj që nuk e njeh dhe që nuk ke asnjë njeri që të pret”.
Ajo thotë se për pagë nuk ja vlen emigrimi, por shton se atje kushtet për shkollim e avancim janë më të mira se në Kosovë.
“Pra, mjekët e rinj të Kosovës të shikojnë që kur bëhet fjalë për meritokraci, gjithmonë janë ato nepotizmat që dominojnë në shoqërinë shqiptare që nuk e lejojnë që më i miri e më punëtori ta marrë vendin e merituar, por të vijë dikush tjetër që në rrugë të tjera, qoftë politike apo me forma të tjera, të marrë pozicione të caktuara në mjekësinë shqiptare që nuk janë të merituara”.
Mjekja thotë se brezi i ri i mjekëve nuk po largohen për shkak të pagave.
“Kjo është ajo që bën zhgënjimin e brezit të ri dhe bën që jo për hir të rrogës së ulët ata të largohen. Jo vetëm në Kosovë, po ndodh që mjekët të largohen, kemi mjekë edhe nga Shqipëria, të cilët njëkohësisht marrin rrugën për në vendet evropiane”, deklaroi Dollenberg./Telegrafi/