Telegrafi

Doganës i dështon tenderi për banderola

Dogana e Kosovës ka bërë shkelje të Ligjit të prokurimit në tenderin 1.5-milionësh për “Furnizim me banderola për duhan dhe pije alkoolike”, shkruan sot Koha Ditore.

Ky tender që parashihet të ketë kohëzgjatje prej 36 muajsh përveç vlerës monetare ka peshë të madhe edhe në sigurinë dhe parandalimin e kontrabandës, pasi falsifikimi apo shitja e kundërligjshme e banderolave e dëmton direkt buxhetin e Kosovës me dy produkte që kanë tatime doganore dhe akcizë dhe rrjedhimisht i sjellin të hyra të mëdha shtetit.

Gjykata e Tenderëve për të dytën herë e ka shqyrtuar këtë tender. Herën e parë, ajo kishte vendosur që lënda të kthehet në rivlerësim. Kurse tashmë Gjykata e Tenderëve ka vendosur që të anulojë dhënien e kontratës që i kishte bërë Dogana kompanisë “De La Rue” me seli në Angli, dhe tërë procesi të kthehet në pikën zero.

Dogana e Kosovës e ka eliminuar një kompani nga gara për këtë tender 1.5-milionësh me arsyetimin se asaj i ka munguar “Deklarata nën betim”, njëra nga pikat e dosjes së tenderit. Por, Gjykata e Tenderëve ka gjetur se në ofertën e kompanisë ankuese “KGT-Gieseck Devriet”, ka qenë edhe “Deklarata nën betim”, e nënshkruar nga dy anëtarët e konsorciumit. /Telegrafi/