Telegrafi

Doganat dhe ATK sigurojnë mjetet për rritjen e pagave

Administrata Tatimore dhe Doganat e Kosovës, mbesin dy organizatat kryesore, nga të cilat ku qeveria synon mbushjen e buxhetit për këtë vit, rrjedhimisht edhe të mundësohet rritja e pagave të premtuara nga kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, tha se qeveria e ardhshme duhet medoemos ta luftojë ekonominë e paligjshme, në mënyrë që Administrata Tatimore (ATK) dhe Doganat e Kosovës të realizojnë më shumë të hyra buxhetore.

“Të luftohet ekonomia e paligjshme me qëllim që ATK-ja dhe Doganat ta mbushin buxhetin e Kosovës, ndoshta për qindra miliona euro. Një pjesë do të mund të shfrytëzohet për ngritjen e pagave të shërbyesve civilë dhe punëtorëve shtetërorë, që është një rritje që i barazon pagat e punëtorëve kosovarë me pagat e punëtorëve të shteteve të rajonit”, thotë Bektashi.

Vendimi i qeverisë për rritje pagash për disa kategori në sektorin publik, buxhetit të këtij viti, i cili ende nuk është miratuar, do t’i kushtojë 100 milionë euro.

Doganat dhe ATK-ja qysh këtë vit duhet shtuar përpjekjet për më shumë të hyra në buxhet, ka kërkuar edhe Ahmet Shala, ministër në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave. Shala nuk e ka precizuar në mënyrë të saktë arsyen e kërkesës, por ka thënë se këtë vit Kosova ka nevojë më të madhe për financime. /Rel/Telegrafi/