Telegrafi

Dogana s’i zbaton rekomandimet e KE-së

Dogana e Kosovës duhet ta ndërpresë përdorimin e metodave 2-6, të cilat vlerësojnë mallrat, duke i dhënë mundësi t’i paragjykojë vlerat e mallrave të importuara. Ky është një nga rekomandimet e raportit të Komisionit Evropian (KE) i datës 22 tetor 2014.

Në këtë raport, të siguruar nga gazeta “Epoka e re”, rekomandohet të shqyrtohet deri në çfarë mase ekziston nevoja për t’i përditësuar kodin doganor të akcizave dhe udhëzimin administrativ, i cili parashtron dispozitat për zbatimin e kodit doganor në pajtim me ndryshimin e kodit doganor të Komunitetit Evropian dhe të dispozitave të tij zbatuese. “Marrëdhëniet në mes të Ligjit mbi Administratën Tatimore dhe Procedurat, Ligjit mbi Procedurat Administrative, Ligji mbi Konfliktet Administrative dhe Ligjit për Gjykatat duhet të qartësohen. Në fakt, e gjithë paketa do të ishte mirë të reformohej. Është e rëndësishme të dihet se detyrë e organit doganor modern nuk është për të mbledhur të holla sa më shumë të jetë e mundur, por për t’i mbledhur detyrimet dhe taksat në mënyrë të saktë”, është thënë në këtë raport.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se Dogana e Kosovës ka marrë rolin vetëm taksambledhësve dhe mbushjes së buxhetit. “Mbushja e buxhetit po shoqërohet me shumë mangësi dhe ankesa nga bizneset e ndryshme. Këtë e thonë edhe raportet ndërkombëtare. Dogana e Kosovës duhet të jetë organ që krijon ligjshmëri kolektive për të gjithë njëjtë, pa dhënë nuanca që mund të vijnë deri te shkelja e ligjit. Nga Dogana duhet të trajtohen të gjithë taksapaguesit njëjtë”, ka thënë Shahini.

Edhe Burim Piraj nga kompania “Meka” ka thënë se viti 2014 do të mbahet mend për më së shumti shkelje të kodit doganor nga Dogana e Kosovës. “2014-a për mua do të mbahet në mend si vit gjatë të cilit më shumë ka pasur shkelje të kodit doganor nga Dogana e Kosovës dhe nga udhëheqësit e këtij institucioni. Kjo, sipas mendimit tim, nuk do të duhej të ndodhte. Që nga fillimi i punës në shtetin tonë të ri, i cili ende mund të quhet si tillë, Dogana ka bërë lëshime, të cilat në të kaluarën kanë qenë të pakoordinuara dhe kryesisht kanë qenë të lidhura me joprofesionalizmin e oficerëve të caktuar, e kjo mund të ndodhë edhe në vende të tjera. Vitin që ka shkuar nuk ka pasur lëshime, shkelje sistematike të koordinuara dhe të urdhëruara nga Drejtoria Qendrore e Doganës”, ka thënë Piraj.

Ndërkaq zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se ky raport ka të bëjë me punën e ankesave, respektivisht me punën e Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave që është institucion tjetër dhe që merret me trajtimin e ankesave kundër Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.

Ish-kryetari i Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave, Skënder Kolgeci, ka thënë se ky bord merret me çështje konkrete mbi bazën e ankesave që kanë tatimpaguesit kundër vendimeve të Doganës dhe ATK-së. “Ne bazohemi në provat materiale që janë në shkresat e lëndës. Ligjvënësi ka paraparë gjashtë metoda të vlerësimit që Neni 33 i Ligjit të Doganës ka kuptimin e vlerës së transaksionit të paguar dhe normalisht subjekti ka dokumentacionin e pakontestueshëm, që dëshmon vlerën e transaksionit dhe se nuk mund të kalosh prej metodës 1 në metodën 6. Madje nuk mund të kalosh pa arsyetuar secilën metodë. Nëse subjekti ka faturat origjinale, ka deklaratën eksportuese, transitore, ka kontratë për shitblerje, atëherë pse mos t’i pranohet vlera e transaksionit”, është shprehur ai. /Epoka e Re/Telegrafi/