Site icon Telegrafi

Dogana për katër muaj ka inkasuar 22% më shumë të hyra

Dogana e Kosovës gjatë këtij katër mujori të këtij viti ka inkasuar 22 për qind të hyra më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërsa sa i përket luftimit të informalitetit në këtë katër mujorsh Dogana ka 44 raste të reja.

Këto të dhëna u bënë publike sot në një konferencë për media e organizuar nga Ministria e Financave dhe Doganat e Kosovës, ku përveç paraqitjes së statistikave për këtë katër mujorsh u paraqit edhe rrjedhoja e implementimit të marrëveshjes së MSA-së, nga ana e Doganave.

“ Me kënaqësi them se rezultatet gjatë këtyre katër muajve kanë qenë shumë më të mira se sa ne i kemi planifikuar…. Falënderoj gjithë stafin e doganave për përpjekjet që po bën në mbledhjen e të hyrave, në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe për bizneset. Gjatë këtij viti kemi p asur plot ngjarje të rëndësishme për doganat, zbatimi i MSA-së, politikat e thjeshtësuara për eksport, po ashtu edhe hapjen e një zyre në Parkun e Bizneseve dhe të gjitha aktivitetet tjera të Doganave”, tha Hoti.

Ndërsa, drejtori i Doganave të Kosovës Lulzim Rafuna tha sa të hyrat e realizuara gjatë këtij katër mujori të këtij viti, janë 7.4 për qind mbi projektet e parashikuara me Ligjin për Buxhetin e vitit 2016.

“ Për këtë katër mujor ne kemi inkasuar 22 për qind të hyra më shumë se sa në periudhën e njëjtë të viti të kaluar, ndërsa jemi 7.4 për qind mbi projeksionet e katër mujorit të parashikuar në Ligjin e Buxhetit për vitin 2016. Në qoftë se shkojmë në nivel të tatimeve veç e veç, atëherë do ta vërejmë se të gjitha tatimet kanë pasur një ngritje. Kemi tatimin doganor që ka shënuar një ngritje prej 12.8 përqind , tatimi i akcizës ka shënuar rritje 20.8 për qind dhe kemi tatimin mbi vlerën e shtuar që ka shënuar rritje prej 28.6 për qind”, tha Rafuna.

Sa i përket luftimit të informalitetit gjatë këtij viti Doganat e Kosovës kanë ngritur 44 raste të reja, ka bërë 7 kallëzime penale dhe ka realizuar 81 bastisje, derisa janë konfiskuar 1 milionë e 200 mijë mallra.

Doganat e Kosovës gjatë këtij viti kanë trajtuar 10 raste disiplinore ndërsa janë suspenduar 8 zyrtarë doganor.

Në lidhje me implementimin e MSA-së në këtë konferencë u tha se Dogana e Kosovës ka hapur zyrën për MSA-në dhe ndihmë ndaj bizneseve, ku janë pranuar 65 kërkesa të drejtuara me e-mail, janë realizuar 66 takime me kompanitë e interesuara si dhe u tha se deri më tani nuk ka asnjë problem të raportuar në lidhje me implementimin e kësaj marrëveshje. /Telegrafi/

Exit mobile version