Dogana e Kosovës njofton se të premten në Prizren zyrtarët e këtij institucioni kanë parandaluar kontrabandën me duhan në sasi prej 77 kilogramësh.
Siç njofton Dogana, zyrtarët doganorë, pas pranimit të informatave përmes rrugëve operative, kanë organizuar kontrolle në dy lokacione të dyshimta.
“Në këtë proces, ata kanë zbuluar 77 kg duhan të përpunuar, për të cilin palët nuk kanë mundur të prezantojnë dokumentacion të origjinës. Vlera e këtij malli llogaritet të jetë rreth 1000 euro, ndërsa shmangiet nga Taksat Doganore janë vlerësuar në 3,468.00 euro”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Më tej në njoftim thuhet se pas konstatimit të këtyre shkeljeve, malli i kontrabanduar është konfiskuar dhe është ndërmarrë veprim për të filluar procedurat kundërvajtëse ndaj palëve të përfshira në këtë aktivitet të paligjshëm.
“Dogana e Kosovës ka aplikacionin e-Dogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi”, bën të ditur dogana. /Telegrafi/