Telegrafi

Dogana parandalon 23 raste tentim kontrabande

Gjatë kësaj periudhe sipas zyrës për informim të Doganave të Kosovës, janë regjistruar 23 raste të parandalimit të mallrave të dyshuara të kontrabanduara. Në rastet e zbuluara si mallra të kontrabanduara janë identifikuar sasi të konsiderueshme të mallrave të llojit të ndryshëm si pije joalkoolike dhe alkoolike, derivate të naftës si dhe produkte të ndryshme ushqimore.

Ndër më të theksuarat në këtë veprimtari ishte ajo me derivate të naftës, ku oficerët Doganor gjatë kësaj jave kanë konfiskuar rreth 2000 litra derivate të naftës.

“Tërë sasia është zbuluar në rajonin e Mitrovicës, gjithashtu në këtë rajon Oficerët Doganor zbuluan sasi të pijeve të gazuara rreth 400 litra, po ashtu edhe pije alkoolike të llojeve të ndryshme si dhe Birra, në sasi rreth 250 copë, të gjitha pa banderola”, thuhet në komunikatën për media.

Edhe nëpër vendkalimet e tjera kufitare Oficerët Doganor kanë zbuluar disa raste në tentim kontrabandimi të mallrave të ndryshme si Barna pa banderola, pajisje sportive etj, të gjitha këto në vlera më të ulëta.

Të gjitha rastet e regjistruara të kontrabandimit me mallra i janë dorëzuar sektorit për kundërvajtje doganore ndërsa ndaj të dyshuarve janë iniciuar procedurat për kontrabandim me mallra. /Telegrafi/