Telegrafi

Dogana, në 2014 më shumë të hyra, importi më i madh nga Serbia

Dogana e Kosovës, vitin që kemi lënë pas ka arritur që t’i rrisë të hyrat për 4 për qind në krahasim me vitin 2013. Gjithashtu, Doganat e Kosovës kanë arritur që të zvogëlojnë kontrabandën, e si sfidë për vitin e ardhshëm konsiderohet inkasimi i detyrimeve doganore të parapara me Ligjin e buxhetit dhe harmonizimi me standardet e Bashkimit Evropian.

 

Serbia, mbetet ende “ kampione” e furnizimit me mall për Kosovën – kontrabandohen mallra të cilat i nënshtrohen tatimit të akcizës, si duhani, pijet alkoolike, karburantet…

 

Këto e shumë të tjera i shpalos në intervistën për KosovaPress-in, drejtori i përgjithshëm i doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna.

 

Dogana, thotë Rafuna, këtë vit ka shënuar një progres të madh, duke arritur që të ketë 4 për qind të të hyrave më shumë se sa vitin e kaluar, përkundër asaj që kanë pasur një rënie të sasisë prej 5 për qind të mallrave për shkak të situatës që ka qenë në Kosovë dhe që nga mesi i muajit janar ka hyrë në fuqi ligji për lirimet të detyrimeve doganore.

 

Ai shton se ligji në fjalë e ka pasur një pakt të detyrimeve doganore për 10 milionë më pak, e përkundër këtyre situatave që kanë ekzistuar dogana ka arritur të ketë më shumë të hyra.

 

Drejtori i Doganave thekson se ndër të arriturat e tjera të Doganës është edhe centralizimi i shërbimeve – nga një qendër që ka ekzistuar, tani janë të decentralizuara në shtatë drejtori rajonale, ku qëllimi i decentralizimit ka qenë se si bizneseve t’u ofrohen shërbime sa më afër, në mënyrë që të kenë një kosto më të ultë , për një kohë sa më të shkurtë në mënyrë që biznesi të marrë informata dhe të marrë shërbime nga dogana e Kosovës.

 

“Në vitin 2015, sfidë për doganën do të jetë inkasimi i detyrimeve doganore të parapara me Ligjin e buxhetit për vitin 2015, në shumën prej 962 milionë. Sfidë tjetër do të jetë që ta zhvillojmë një program në harmoni me standardet e Bashkimit Evropian. Kjo nënkupton themelimin ose vendosjen e sa më shumë sistemeve elektronike në mënyrë që ta zbehim ose ta eliminojmë komplet diskrecionin e oficerit doganor. Sfidë tjetër do të jetë thjeshtësimi i procedurave në mënyrë që bizneset që qarkullojnë sa ma lehtë”, ka thënë drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna. /KP/