Dogana e Kosovës në kuadër të parandalimit të veprimtarive ilegale gjatë javës së fundit kanë organizuar një aksion të gjerë në Mitrovicë dhe Vushtrri.
Sipas njoftimit të Doganës, aksioni është zhvilluar në 20 lokacione.
“Gjatë këtij aksioni duke u bazuar në informata e siguruara përmes rrugëve operative janë identifikuar mbi 20 lokacione të dyshuara për aktivitete ilegale me lojëra të fatit”, thuhet në njoftimin e Doganës, përcjell Telegrafi.
Dogana thotë se gjatë këtij aksioni janë konfiskuar 50 aparate ilegale të lojërave të fatit dhe ka mbyllur dy lokale.
“Si rrjedhojë e kontrolleve janë kapur një sasi e konsiderueshme e aparateve për lojëra fati si dhe lojëra tjera të ndaluara si Keno dhe RacingDogs. Janë konfiskuar 50 aparate dhe 25 lojëra, ndërsa janë mbyllur dy lokale”, vijon njoftimi.
Në fund, Dogana kërkon ndihmën e qytetarëve që të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të tilla. /Telegrafi/