Dogana e Kosovës në konferencë për medie të fundit për këtë vit, ka prezantuar raportin vjetor të punës, ku drejtues të saj theksuan se ky institucion financiar kryesor për buxhetin e shtetit për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 2016 ka arritur një rekord ku ka mbledhur 1 miliardë e 40 milionë euro.
Derisa, në krahasim me vitin e kaluar Dogana e ka kaluar mbi 99 milionë euro më shumë të hyra, ose rreth 10 përqind.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se tri ditë para përfundimit të vitit Dogana ka tejkaluar projeksionin duke mbledhur 1 miliardë e 40 milionë euro. Ai tha se janë rreth 50 milionë euro më pak për shkak të politikave fiskale dhe të marrëveshjes së implementuar të MSA-së. Këto të hyra të larta sipas tij duhet parë si një rezultat pozitiv.
Ministri Hoti tha se viti 2017 do të jetë edhe më sfidues për Doganën, ngase ka në projeksion 1 miliardë e 108 milionë euro.
“Pavarësisht se ky parashikimi i të hyrave është rritur me rastin e rishikimit të buxhetit dhe pavarësisht prej faktit si rezultat I pakos fiskale kemi pasur minus 23 milionë lirime të ndryshme të lëndëve të para për makineri dhe produkte tjera, dhe kemi pasur minus 25 milionë euro si rezultat i zbatimit të MSA-së nga data 1 prill e këtij viti. Pra në total kemi 48 milionë euro më pak për shkak të politikave fiskale dhe MSA-së, ndërkohë që dogana arrin që të realizojë dhe të tejkaloj planin për këtë vit”, tha ministri Hoti.
Hoti ka përgëzuar Doganën për luftimin e kontrabandës, dhe po ashtu tha se është një indikator shumë i mirë përgjysmimi i ankesave nga bizneset në Doganë.
Hoti ka folur edhe për konkursin për drejtor të Doganës, i cili tha se kjo është bërë edhe krahas kërkesave të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë. Ministri i Financave garantoi se do të zbatohet ligji në fuqi dhe do të jetë i gjithë procesi transparent për përzgjedhjen e drejtorit të ri në doganë.
Ndërsa, ushtruesi i drejtorit të Doganës, Fahri Gashi, duke prezantuar raportin vjetor për vitin 2016 për të hyrat foli edhe për thjeshtëzimin e procedurave të zhdoganimit, ku janë zhdoganuar mbi 200 mijë lëndë. Ai tha se objektivë tjetër është edhe përmirësimi i etikës doganore dhe parandalimi i korrupsionit dhe çfarëdo lloj konflikti interesi.
Ai ka folur edhe për parandalimin e kontrabandës me mallra dhe për vitin 2017 tha se objektivë kryesore mbetet bashkimi i Doganës me ATK-në.
“Anti kontrabanda e doganës gjatë vitit ka ndërmarr 243 aksione dhe janë zbuluar 162 raste të kontrabandës, duke përfshirë derivatet, cigaret, aparatet e lojërave të fatit, mallrave ushqimore, tekstil etj… Një statistikë tjetër sa i përket numrit të ankesave, dogana e Kosovës në vazhdimësi numri i ankesave ndaj veprimeve të doganës është në ulje, ku gjatë tri vjetëve të fundit e vërejmë se kemi një ulje të vazhdueshme, ku në vitin 2016 kemi 1 mijë e 50 ankesa… Ndër objektivat kryesore për vitin 2017 është edhe procesi i bashkimit të doganës me Administratën Tatimore të Kosovës”, theksoi Gashi.
Ai tha se të gjitha këto të arritura janë falë edhe bashkëpunimit dhe përkrahjes së vazhdueshme nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
Në raport thuhet se janë ngritur 80 kallëzime penale kundër 164 personave për shmangie mbi 2.5 milionë euro. Po ashtu janë zbuluar 46 raste të ndryshme me 350 kilogramë lëndë narkotike. Kurse, nga hetimet e përbashkëta me departamentin e krimeve të policisë së Kosovës kundër krimit të organizuar janë shpërbërë tri grupe të krimit të organizuar me rreth 70 persona. /Telegrafi/