Telegrafi

Dogana feston pavarësimin nga UNMIK-u

Dogana e Kosovës ka shënuar sot gjashtë vjetorin e themelimit të saj, respektivisht gjashtë vjetorin e pavarësimit nga Dogana e UNMIK-ut. Me ç’ rast u tha se në nivel të tatimeve të buxhetit të shtetit, Dogana kontribon më rreth 75 për qind të të hyrave.

Puna e Doganës së Kosovës u vlerësua lartë nga drejtori i saj, Lulzim Rafuna, i cili tha se filluan me një staf prej 30 oficerëve, dhe vetëm në vend kalimet me Maqedoninë dhe Shqipërinë, ndërsa, sot mbulojnë gjitha vendkalimet doganore me oficerë doganorë.
Rafuna tha se janë duke implementuar legjislacionin e plotë doganorë, ku secilin vit dogana është ngarkuar me kompetenca shtesë për t’i shërbyer qytetarëve të Kosovës për të krijuar rrënjët e veta në të gjitha doganat e Bashkimit Evropian.

Ai shtoi se në nivel të tatimeve të buxhetit të shtetit kontribuojnë më rreth 75 për qind të të hyrave. Kurse, këtë vit Dogana e Kosovës, sipas tij, ka bërë një reformë për t’u kujdesur për interesat e qytetarëve.

“Këtë vit Dogana e Republikës së Kosovës ka bërë një reformë të thellë brenda saj, një reformë e cila ka për qëllim që t’i shërbejë biznesit por edhe në anën tjetër të sigurohet që të hyrat që kërkohen me ligj të inkasohen më shumë dhe në kohë të duhur. Në kuadër të kësaj reforme ne kemi krijuar edhe sistemin që të kujdesemi për mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të qytetarëve të shtetin tonë dhe në të njëjtën kohë duke u kujdesur dhe rritur mirëqenien sociale të oficerëve doganorë. Në këtë mënyrë dogana këtë vit ka arritur të përfundojë shumë më lartë se sa viteve të kaluara, ndonëse ende nuk është anëtare e plotë në Organizata Ndërkombëtare është pjesë e të gjitha iniciativave ndërkombëtare dhe regjionale. Në mbyllje të vitit 2014 Dogana e Kosovës po shënon mbledhjen më të lartë të të hyrave që nga viti 2000. Vitin po e mbyllim po ashtu edhe me sukses dhe rezultate të prekshme në fushën e zbatimit të ligjit ku është ngritur kualiteti i kallëzimeve penale me vlerë prej 40 për qind më të lartë se vitin paraprak”, është shprehur Rafuna.

Ndërsa, ish-ministri i Financave, Besim Beqaj, falënderoi drejtorin e Doganës së Kosovës, duke thënë se kanë bërë një punë shumë të mirë, dhe se sipas tij reformat gjithmonë janë të vështira por janë të nevojshme. “Puna e mirë të cilën e kam trashëguar nga tani guvernatori zotri Hamza më ka ndihmuar që shumë shpejtë të zë punën dhe angazhimet të cilat kanë quar drejt një reforme të thellë në dogana përmes lidershipit të zotrit Rafuna. Reformat janë të vështira, janë të rënda por janë të nevojshme, unë besoj që me punën që e kemi bërë të gjithë së bashku gjatë këtij viti dhe duke filluar vitin e kaluar si proces të reformave kemi arritur ato rezultate të cilat i përmendi drejtori”, ka thënë Beqaj.

Ndryshe, më 3 shtator të vitit 1999 Administrata Doganore ishte institucioni i parë i themeluar nga UNMIK-u, ku u krijua si Shërbim Doganor i UNMIK-ut, më 12 dhjetor të vitit 2008u shkëput nga UNMIK-u për të vazhduar punën si një institucion i cili vepron brenda Ministrisë së Financave.

Ndryshe, objektivi i menaxhmentit të doganës është zhvillimi i një administrate doganore që do të jetë shembull për rajonin dhe imazhin më të mirë të Kosovës. /Telegrafi/