Telegrafi

Dogana e vendosur ta luftojë nepotizmin

Mbi 300 shpediterë, të cilët janë duke punuar në ushtrimin e veprimtarisë së përfaqësimit në procedurat doganore për Doganën e Kosovës (DK), nuk do të mund të punojnë më, pasi udhëzimi i ri administrativ i ka eliminuar për shkak të lidhjeve familjare që ata kanë me të punësuarit në këtë institucion shumë të rëndësishëm për mbushjen e arkës së shtetit.

Drejtori i Doganave, Lulzim Rafuna, ka vlerësuar se ky udhëzim nuk është kundër askujt, por synon të vë rregull në shpedicion. “Udhëzimi administrativ ‘U. A. nr. 12. 2014, mbi licencimin dhe kushtet për ushtrimin e veprimtarisë së përfaqësimit në procedurat doganore’, do të hapë më shumë mundësi të merren me këtë veprimtari, por jo edhe ata që kanë të punësuar në Doganë, pasi është konflikt interesi. Deri më tani kjo fushë ka qenë e parregulluar dhe në kuadër të planit tonë të reformave që i kemi premtuar, ka qenë edhe licencimi i agjentëve doganorë. Deri më tani ata janë licencuar ose rilicencuar nga një udhëzim i UNMIK-ut, i cili tanimë nuk ka fuqi ekzekutive”, ka deklaruar Rafuna për gazetën “Epoka e re”.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna, ka bërë me dije se procedura për licencim të shpediterëve do të fillojë këtë muaj, duke u bazuar në udhëzimin administrativ.

Kurse kryetari i Shoqatës së Shpedicionit të Brendshëm dhe Ndërkombëtar, Elez Syla, e ka vlerësuar të mirëseardhur udhëzimin administrativ “U. A. nr. 12. 2014, mbi licencimin dhe kushtet për ushtrimin e veprimtarisë së përfaqësimit në procedurat doganore”. Ai ka thënë se pret që ky udhëzim ta rregullojë çështjen e shpedicioneve. “Çdo gjë që rregullohet me ligj e krijon një rregullativë në një fushë të caktuar. Po presim ta shohim se si do të rregullohet çështja e licencimit të shpediterëve”, ka deklaruar Syla për gazetën “Epoka e re”. /Telegrafi/