Për gjashtë muaj të hyrat e përgjithshme të inkasuar nga Dogana e Kosovës në total arritën vlerën prej rreth 504.3 milionë euro gjë që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar paraqet një rritje prej 3.5 për qind apo rreth 17 milionë euro më shumë.
Ndikim në të hyrat në import për ketë periudhe ka pasur efekti i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe pakove fiskale që i referohen prodhuesve, ku duhet theksuar se ndikimi në të hyra nga MSA përgjatë kësaj periudhe është rreth 21 milionë euro apo rreth 46.3 përqind më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ndërsa ndikimi në të hyra doganore nga pako fiskale që i referohen lirimit nga taksat ne import për prodhuesit përgjatë periudhës raportuese është rreth 29.6 milionë.
Gjithashtu edhe ndikimi në të hyra nga importi i veturave te përdorura ku vërehet një rënie e theksuar krahasuar me vitin e kaluar, ku kemi 5,335 copë vetura më pak, dhe kjo ka ndikuar që të shënohet një rënie në të hyra prej 8.6 milionë euro më pak. Totali i ndikimeve negative në të hyra nga këto kategori për ketë periudhe është afër 60 milionë apo shprehur në përqindje rreth 12 për qind e totalit të të të hyrave të grumbulluar nga Dogana e Kosovës për këtë gjashtë mujor.
Përkundër politikave fiskale që favorizojnë lirime dhe ulje taksash në kategori të caktuara, si stimulim i zhvillimit ekonomik, si dhe ato që burojnë nga MSA, që ketë vit pritet të këtë ndikim më shumë në të hyrat e planifikuara, prapë Dogana e Kosovës është duke vazhduar me performancë shumë të mirë në grumbullimin e të hyrave, luftimin e ekonomisë joformale, kontrabandës dhe fusha tjera që Dogana ka përgjegjësi, mirëpo gjithashtu në vlerësojmë se këto efekte te politikave fiskale dhe MSA, do të kenë efektin e vet pozitiv shumë më të madhe për zhvillimin ekonomik te vendit dhe rritjes të prodhimeve vendore. /Telegrafi/