Telegrafi

Dogana e Kosovës, në vitin 2009, 30 milionë të hyra më shumë se në vitin 2008

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, ka thënë se në vitin 2009 është realizuar plani dhe janë rritur të hyrat për disa milionë euro.

Me gjithë problemet me të cilat është përballur Dogana e Kosovës, në vitin 2009 në disa pika kufitare në veri të Kosovës, ajo ka realizuar të gjitha planet e vitit me rreth 100 për qind dhe me rritje për 30 milionë të hyra më shumë se në vitin 2008.

“Në vitin e kaluar planet janë realizuar 99 për qind, ose pesë për qind më shumë se në vitin 2008, apo me rritje me rreth 30 milionë euro më shumë se një vit më parë”, ka bërë të ditur ai.

Sipas tij, në raportin që është përpiluar së fundi, të hyrat nga Doganat e Kosovës kanë qenë mbi 635 milionë euro.

“Tash kemi barazim të plotë. Mund të themi se plani është realizuar sipas dinamikës dhe parashikimeve që i kemi paraparë në fillim të vitit”, ka thënë ai.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Labinot Lekaj, ka thënë se Dogana e Kosovës, me gjithë rezultatet që i ka arritur gjatë vitit 2009, prapëseprapë ka pasur disa probleme në mbledhjen e të hyrave në disa pika kufitare.

“Një ndër indikatorët kryesorë ka qenë fakti se dy pikat doganore në veri ende janë jashtë funksionit dhe, përveç regjistrimit të mallit, që bëhet nga zyrtarët e EULEX-it, nuk kanë funksionuar ashtu siç duhet”, ka theksuar ai.

Kurse zëdhënësja për dogana në EULEX, Alexandra George, ka thënë për BBC-në se nuk është në kompetencën e EULEX-it të vendosë se kur do të kthehen doganierët kosovarë në dy vendkalimet kufitare me Serbinë dhe kur do të rifillojë mbledhja e taksave doganore atje.

Të hyrat nga doganat kontribuojnë me mbi 50 për qind të buxhetit në përgjithësi.