Site icon Telegrafi

Keqpërdorën detyrën, Dogana e Kosovës largon nga puna pesë zyrtarë

Dogana e Kosovës ka ndërmarrë masa disiplinore ndaj shtatë zyrtarëve të Doganës pas një hetimi të hollësishëm.

“Pas një procesi të plotë hetimor, Dogana e Kosovës ka larguar nga puna pesë zyrtarë dhe ka degraduar dy të tjerë. Ky hetim identifikoi prova për keqpërdorim të detyrës, që çoi në këto veprime” thuhet në njoftimin e Doganës.

Dogana thotë se të gjitha veprimet disiplinore janë në përputhje me standardet e brendshme dhe janë kryer me respektimin e procesit të rregullt.

“Dogana e Kosovës nuk toleron asnjë formë të abuzimit të detyrës gjë që forcon angazhimin tonë për transparencë dhe llogaridhënie”, vijon njoftimi.

Veprimet e ndërmarra sipas Doganës tregojnë vendosmërinë e tyre për të mbajtur atë si një institucion të besueshëm dhe transparent.

“Dogana e Kosovës vazhdon të ndërtojë një organizatë ku qytetarët mund të kenë besim se vepron me ndershmëri dhe përgjegjësi. Po ashtu, jemi të vendosur për përmirësim të vazhdueshëm dhe u bëjmë thirrje qytetarëve të raportojnë përmes aplikacionit tonë eDogana çdo praktikë të dëmshme apo kontrabandë që mund të kenë dijeni”, shkruhet mes tjerash në njoftim.

Dogana e thotë se mbetet e përkushtuar për të vazhduar përpjekjet për të siguruar profesionalizëm dhe ekselencë në shërbimin publik, si dhe për të punuar në inovacione në procedurat doganore dhe partneritete për të luftuar efektivisht korrupsionin./Telegrafi/

Exit mobile version