Telegrafi

Dogana do të shpenzojë 60 mijë euro për uniforma

Dogana e Kosovës, ka vendosur që të shpenzojë 60 mijë euro për blerje të uniformës për personelin e saj. Këtë shumë të mjeteve Dogana do ta shpenzojë për blerjen e 8819 artikujve të ndryshëm veshmbathje.

Me këto mjete për 3 vjet sa do të jetë tenderi sipas kontratës furnizuesi i mundshëm do të pajis personelin e Doganës me këmisha për femra e meshkuj, kravata, jelek për femra, pantallona për femra e meshkuj, fund për femra, uniformë solemne për femra, sako për meshkuj, xhempera për meshkuj, xhaketa për meshkuj, etj, raporton Kosova Live.

Sipas përshkrimit të kontratës në tenderin e hapur nga Dogana e Kosovës të përshkruar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), shuma e tenderit e lartcekur që të jetë prej 60 mijë euro është llogaritur në bazë të depozitimit të 10 për qind të vlerës së kontratës /për pjesë, për një periudhë të vlefshmërisë prej 37 muajve.

“Tenderuesi duhet të depozitojë sigurimin e tenderit në vlerë prej 2,000 euro/për një pjesë (6,000 euro për të tri pjesët), për një periudhë të vlefshmërisë prej 120 ditëve apo 4 muajve nga data e hapjes se këtij tenderi”, thuhet në njoftimin për dhënie të kontratës. /Telegrafi/