Telegrafi

Doellman nuk do të lejohet të luajë si kosovar në Spanjë

Përkundër që është afër të marrë pasaportën e Kosovës dhe të luajë për përfaqësuesen e Kosovës, Justin Doellman nuk do të pranohet si kosovar në ligën spanjolle.

Kosova nuk është e njohur si shtet i pavarur nga Spanja dhe CSD (Këshilli Superior i Sporteve) i ka bërë të qartë Doellmanit se nuk i garantohet statusi i lojtarit evropian, transmeton Koha.net.

Këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për të përditshmen katalunase El Mundo Deportivo, sekretari i CSD-së, Miguel Cardenal.

“Ende jemi duke pritur që të shohim edhe shumë gjëra dhe së pari duhet të keni një klub që dëshiron të regjistrojë një lojtarë me atë lloj pasaporte, por padyshim se kjo pasaportë nuk është valide në Spanjë. Ky është një vend që nuk është njohur nga Spanja, kështu që as lojtari ose dikush tjetër nuk mund të merr një status të caktuar që lidhet me një kombësi që Spanja nuk e njeh”, është shprehur Cardenal.