Site icon Telegrafi

“Dodona” fiton çmimin kryesor në “Xinxifilo”

Në një garë të teatrove të ndryshme nga Shqipëria, Kosova, Bullgaria dhe Franca, shfaqja e “Dodonës”, “Cirku i lodrave” fitoi çmimin e shfaqjes më të mirë, që është çmimi i vetëm që ndahet në këtë festival.

Këtë vlerësim e dhanë juria profesionale e përbërë nga Vangjel Kozma (që ndër të tjera është skenarist i spektaklit “Portokalli”), Elizabeta Kamberi (njohëse e teatrit të fëmijëve, ish drejtoreshë e RTSH-së) dhe Sotiraq Mangëri. Të njëjtin mendim e kishte edhe juria e fëmijëve, e udhëhequr nga aktori dhe humoristi Muharrem Hoxha.

Shfaqja “Cirku i lodrave” bazohet në krijimtarinë e autorit të njohur për fëmijë, Samuil Yakovlevich Marshak. Regjia dhe dramatizimi është bërë nga regjisorja e njohur, Melihate Qena.

Shfaqja është e konceptuar në formë të cirkut. Siç është shprehur më herët regjisorja Qena, aty paraqitet jeta e klounit, që shkon qytet më qytet, ndërsa askund nuk ka vend për ta.

“Nga ana tjetër, e tërë bota është e tyre, sepse ata nuk kërkojnë shumë, duan sy të shikuesve, pak muzikë dhe lojë”, thotë Qena. “Në të vërtet edhe jeta është e tillë, është një lojë që dikush e sheh në fillim, dikush pakë më vonë , dikush ndoshta nuk e sheh kurrë, por megjithatë është thjesht një lojë”.

Në shfaqje luajnë dy aktorë të rinj, por të dëshmuar me rolet që kanë pasur deri tash: May-Linda Kosumovic dhe Faris Berisha.

Sipas jurisë, shfaqja e teatrit “Dodona” është shfaqja që më së miri u prit jo vetëm nga publiku, por që i përmbush të gjitha kriteret profesionale, e në veçanti mesazhin pozitiv që duhet përçuar tek fëmijët.

Teatri “Dodona” është teatri që ka fituar më së shumti çmime në festivalin tradicional “Xinxifilo”, ndërsa shfaqjet e saj janë ato që më së shumti zgjojnë kërshërinë e fëmijëve, jo vetëm në Pogradec. /Telegrafi/

 

Exit mobile version