Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të shtunën ka njoftuar se ka refuzuar pjesëmarrjen në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), në Bosnje e Hercegovinë.
Thaçi ka thënë se ftesa denigruese e anëtarit të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim.
Ndaj deklaratës së Thaçit ka reaguar, Dodik. Ai ka thënë se Kosova është ftuar në formatin siç është paraparë për këto takime dhe se nuk i interesojnë fare “ndjenjat” e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Pakënaqësia e tij dhe ndjenja e tij për këtë çështje mua aspak nuk më intereson. Në formatin e paraparë për takimet e mëparshme të këtij lloji, Kosova ishte parashikuar me një lloj fusnotë. Pse atij s’i pëlqen, askush s’do të qajë, dhe s’do të ndiejmë ndonjë humbje pse ai nuk vjen. U ftua në formatin siç është i paraparë për këto takime, unë pajtohem me qëndrimin e tij që ai të mos vijë”, tha Dodik për televizionin ATV, përcjell Telegrafi.
Ndërkaq, pas anulimit të pjesëmarrjes së Kosovës në këtë samit, pjesëmarrjen e ka anuluar edhe Shqipëria në shenjë solidariteti me Kosovën./Telegrafi/