Site icon Telegrafi

Dodë Gjergji: Popujt e Evropës të na shohin si trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të qytetërimit

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji kërkoi nga popujt e Evropa që të kenë më shumë besim tek populli shqiptar dhe të mos ta shohin si rrezik, por si trashëgimi kulturore dheshpirtërore të qytetërimit të vet.

Këtë mesazh Dodë Gjergji e dha në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, ku është mbajtur mesha solemne e Krishtlindjes.

Meshës i ka parapri programi i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës, të cilët dhanë një program festiv me recitale dhe këndime.

“E çfarë duam ne në këtë tokë më shumë se sa të kemi paqe dhe të jetojmë në dashur me njëri-tjetrin. Dhe Shën Pali në letrën e tij, thotë Krishti është shpëtimtari jonë, ai do të na dhurojë të gjithëve jetën e pasosur. Dhe është mirë që në këtë natë të kremtojmë të gjithë së bashku, të pagëzuam dhe të papagëzuar, të huaj dhe të tanët, sepse kjo natë na bashkon të gjithëve si bijtë e një hyji, i cili më të vërtetë vjen me një thjeshtësi aq të madhe të një foshnje dhe me vajin e parë të fëmijës hynë në jetën tonë”, tha Ipsehkvi.

“Për ne që jemi pagëzuar dhe besojmë do të dëshirojmë të thellohemi më tej në fe, sepse ne shpresojmë, sepse besojmë se Jezusi është prijësi, shpëtimtari. Ai pra është mësuesi ynë shpirtëror, shoqëruesi ynë besnik në udhën e jetës, shpëtimtari ynë, i cili na dhuron jetën e përtejme”, theksoi Dodë Gjergji.

Ai pohoi se dialogu është parakusht i pajtimit dhe të mirës për paqe, buron nga vullneti i mirë dhe dëshira për të ardhmen më të mirë të të gjithëve, dhe askush nuk duhet të ndjehet i lodhur nga dialogu, dhe askush nuk duhet ta keqpërdorë apo ta mohojë nevojën për të.

Dodë Gjergji theksoi se rrugëtimi i popullit shqiptar drejtë familjes së popujve të qytetëruar evropian ka qenë tejet i vështirë dhe kjo është fituar me jetë, me mund dhe me gjak.

“Duhet të kemi kujdes, që asnjë ndëshkim i yni, ose padrejtësi që na bëhet nga të tjerët, të mos e rrezikojë bashkëpunimin tonë drejtë të ardhmes së popujve të Evropës dhe rajonit, sepse e dimë si kemi pësuar kur nuk jemi bashkuar. Ftoj edhe popujt e Evropës, që të jenë më të drejtë dhe të kenë më shumë besim të ne shqiptarët. Ne nuk na befason padrejtësia, sepse më të jemi mësuar në të kaluarën. Ne sot shpresojmë në drejtësi dhe barazi në mesin e popullit tonë. Mbi të gjitha, popujt e Evropës nuk duhet ta shohin popullin tim si rrezik, por si trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të qytetërimit të vet. Sidomos ftoj popujt që na rrethojnë, që të mos thurin plane për të ardhmen, duke na përjashtuar secilin prej nesh”, tha Dodë Gjergji, raporton KP.

 

Festimi i Krishtlindjes do të vazhdojë edhe sot me mesha që do të mbahen në kishat e Kosovës, ndërsa Dodë Gjergji do të mbajë meshë në Katedralen “Zoja Ndihmëtare” në Prizren.

Exit mobile version