Sigal Prishtinës nuk po i ecin punët aspak mirë këtë edicion. Bardhekaltrit po kanë probleme në të tëra anët. Ata dështuan ta kalojnë fazën e grupeve nga FIBA Europe Cup, duke pësuar katër humbje, ndërsa e pësuan edhe humbjen e tretë radhazi nga Peja në nivelin nacional, dy në Superligë dhe një në Superkupë.
E goditjen e radhës, klubi më i madh kosovar e pësoi të mërkurën mbrëma, kur u mposht në Ligën Ballkanike nga Kozuvi, duke e pësuar humbjen e dytë në këtë edicion të kësaj gare.
Prishtinasit janë të brengosur me situatën nëpër të cilën po kalojnë, por janë të bindur se punët do të rregullohen, në pjesën e dytë të sezonit. Trajneri Fikret Shatri e pranon se punët te kampioni i Ligës Ballkanike nuk janë mirë. “Realisht, këtë sezon kemi bilanc shumë të keq. Janë shumë faktorë që kanë ndikuar në këtë rënie të formës. Ekipi e ka humbur shpirtin e vet. Vajtje-ardhjet e lojtarëve e kanë bërë të veten. Ndryshimet e shpeshta janë të dëmshme. Mendoj se bërthama e ekipit është dashur të ruhet. Lojtarët duhet të luajnë për një periudhë të gjatë së bashku, për t’u komponuar ekipi më mirë”, thotë Shatri për “Zërin”.
“Gjithashtu, një problem tjetër është se barra kryesore ka rënë mbi lojtarët që në fillim të edicionit nuk kishin minutazh të mjaftueshëm si Sinani, Hasani, Mazreku e Morina. Me fondin që kemi, dorën në zemër, askush s’mund të bëjë më shumë”, vazhdoi “Komandanti”. Përkundër kësaj rënieje, ai është i bindur se prishtinasit do të këndellen dhe që në fund të edicionit nuk do të mbeten duarthatë. “Nuk është fundi i botës. Prishtina do të ngrihet, pasi edhe vitin e kaluar në fillim kishim probleme të njëjta. Besoj fuqishëm që Prishtina do të fitojë gjithçka në Kosovë, por edhe në Ligën Ballkanike mbetemi pretendent”, përfundoi Shatri.
Në anën tjetër, kapiteni Edmond Azemi e ka shkruar një letër të hapur për tifozët prishtinas, nga të cilët ka kërkuar durim, i bindur se kryeqytetasit do të këndellen.
“Më lejoni që, si kapiten i këtij ekipi, t’ua paraqes shumë sinqerisht formën tonë jo të mirë në këtë periudhë. Duke garuar në tri ligat, ne jemi lodhur pa masë dhe si pasojë e kësaj kanë ardhur edhe deri te lëndimet e shumë bashkëlojtarëve të mi. Andaj, më besoni se ne shumë shpejt do ta marrim veten”, ka shkruar Edo.