Site icon Telegrafi

Dobët ka shikueshmëria

Futbolli kosovar ka shkuar në fund të pusit. Edhe pse jemi më afër se kurrë pranimit në UEFA dhe FIFA, interesimi për këtë sport ka rënë dukshëm. Mjafton t’i shikosh statistikat e nxjerra nga Federata e Futbollit e Kosovës për pjesën e parë të sezonit, për t’u bindur.

Gjatë 17 xhirove të vjeshtës u zhvilluan 102 ndeshje, ndërsa numri i spektatorëve në total ishte 111,500. Nëse duam të hyjmë në detaje, e nxjerrim përfundimin se mesatarja e xhiros ishte 6,559 shikues. Shumë pak, kur kihet parasysh se në këtë “thes” hyjnë gjashtë ndeshje, shkruan Zëri.

E nëse kalkulojmë përsëri, i bie se mesatarja e ndeshjes ishte 1,093 shikues për ndeshje. Kjo mesatare ka mundur të ishte edhe më katasrofale, por atë e kanë nxjerrë paksa dy derbit gjilanas, që u zhvilluan në muajt e shkuar.

Nëse zbresim pak më poshtë, te Liga e Parë, numrat janë edhe më të tmerrshëm. Në Ligën e Parë, kishte 2.186 shikues për një xhiro, respektivisht 273 shikues për ndeshje. E në Ligën e dytë, Grupi A, kishte 93 shikues për ndeshje (380 për xhiro), e në Grupin B, 95 shikues për ndeshje (500 për xhiro).

Njohësit e futbollit konsiderojnë se në futbollin kosovar ka shumë pak shikues. Ata janë të brengosur mbi të gjitha për interesimin e zbehtë të shikuesve për t’i përcjellë ndeshjet e Superligës. Trajneri Fahredin Duraku mendon se kualiteti i dobët ka bërë që të ketë rënie drastike në shikueshmëri.

“Vitin e kaluar ka qenë më mirë shikueshmëria numerikisht. E di në derbin e Mitrovicës kishim nga 3-4 mijë shikues. Thuajse në çdo ndeshje i kishim nga tre mijë shikues te Trepça ’89. Kualiteti ka rënë, s’ka lojë, s’ka kualitet, s’ka atraktivitet. Për këtë, edhe shikueshmëria është nën nivelin e duhur. Kjo është shenjë e keqe, kur jemi afër pranimit”, thotë ai për “Zërin”.

Sipas tij, futbolli në vend duhet të promovohet më shumë. “Jemi shumë larg. Duhet bërë reklama nëpër qytet, të promovohen klubet, puna e tyre. S’po i përcjellim trendet. Do na duhen shumë vite për t’iu afruar vendeve të rajonit, e mos të flasim për ato më larg”, vijoi ai.

Abazi: Fakt brengosës, kur jemi afër pranimit

Trajneri Arsim Abazi, numrin e paktë të shikuesve e vlerëson si brengosës, në një moment vendimtar për futbollin në vend. Sipas tij, ndërkombëtarët, para se të na pranojnë, i shikojnë shumë detaje, përfshirë këtu edhe shikueshmërinë dhe interesimin për futbollin.

“Në krahasim me ca vite më parë, kjo mesatare është pak më e mirë, por prapëseprapë, mund të themi se ka pak shikues. Kjo s’është mirë, kur dihet se jemi në prag të pranimit në UEFA e FIFA dhe ato i shikojnë këto detaje, shikueshmërinë, interesimin e njerëzve për këtë sport etj”, thotë trajneri ferizajas.

“Do të ishte mirë që në çdo xhiro të jenë nga 2-3 derbi si ai i Gjilanit, ku mbushet stadiumi. Lojtarët nuk mund t’i fajësojmë për kualitet, pasi, kur kihet parasysh se në çfarë kushte luajnë. Unë krenohem me ta, pasi po e mbajnë futbollin gjallë”, vazhdoi ai.

Exit mobile version