Site icon Telegrafi

Dobësohet ‘Made in Germany’

Porositë për mallrat industrial gjermanë kanë rënë më shumë se sa pritej për muajin qershor, duke regjistruar rënien më të madhe në thuajse 1 vit e gjysmë. Kjo tregon se fabrikat në ekonominë më të madhe të Eurozonës mund të reduktojnë aktivitetin në muajt e ardhshëm.

Zyra Federale e Statistikave (Destatis), bëri të ditur se kontratat për mallrat “Made in Germany”, ranë me 4%, pas një rritjeje me 2.6% në muajin maj. Treguesi më qershorin, që paraqet rënien më të madhe në porositë industriale që prej janarit 2017, rezultoi poshtë projeksioneve për një rritje me 0.4%.

Sipas analistëve, të dhënat zhgënjyese reflektojnë tensionet tregtare që po godasin ekonominë Gjermane. Reduktimi i porosive industriale erdhi kryesisht prej një rënieje me 4.7% në kërkesën e jashtme, nga vendet jashtë Eurozonës.

Sipas të dhënave të detajuara, porositë për mallrat kapitale dhe konsumatore ishin të dobëta. Ministria e Ekonomisë deklaroi se porositë industriale ranë me 1.6% në tremujorin e dytë, dhe se kanë ndikuar tensionet tregtare të shkaktuara nga politikat e presidentit amerikan Donald Trump.

“Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit, pasiguria e shkaktuar nga politikat tregtare ka pasur me shumë mundësi ndikim”, deklaroi Ministria. /Telegrafi/

Exit mobile version