Site icon Telegrafi

Dobësohet franga zvicerane

Franga zvicerane preku këtë javë nivelin më të ulët në 3 vite, në 1.19 kundër euros, duke iu afruar kufirit prej 1.20 që Banka Qendrore e Zvicrës braktisi në fillim të vitit 2015.

Edhe pse niveli në 1.20 kundër euros është më shumë simbolik, zhvlerësimi i frangës përbën një lehtësim për politikëbërsit e Bankës Qendrore, duke i lënë hapësirë që të diskutojnë për kthimin e normave të interesit në territor pozitiv, pas një dekadë të politikave monetare të jashtëzakonshme.

Institucioni ka reduktuar ndërhyrjet në tregun e këmbimit valutor, ndërkohë që franga ka rënë prej fuqizimit të ekonomisë së Eurozonës dhe largimit të shqetësimeve nga investitorët për politikat europiane.

Ndërhyrjet e bankës në vitin 2017 prekën vlerën e 48 miliardë franga, krahasuar me 86 miliardë në vitin 2015, ku u braktis kursi minimal prej 1.20 franga për euro, gjë që shkaktoi trazira në tregje.

Banka Qendrore ka ndryshuar komunikimin në lidhje me valutën, megjithatë, presidenti i institucionit, Thomas Jordan, tha në javën e kaluar se ka ende pasiguri në tregjet financiarë dhe se është shumë herët për të tkurrur politikat monetare.

Valuta mund të dobësohet më tej, ndërkohë që përfundon programi i blerjes së obligacioneve i Bankës Qendrore Europiane. Kjo do t’i lë hapësirë politikëbërësve në Zvicër që të rrisin normën e interesit nga niveli rekord i ulët prej -0.75%. /Telegrafi/

Exit mobile version