Site icon Telegrafi

Dobësimi i tregëtisë në Kinë zbeh perspektivën ekonomike globale

Të dhënat e tregtisë kineze kanë zhgënjyer analistët gjatë tetorit, duke sinjalizuar se ekonomia e dytë më e madhe në botë duhet të përpiqet më shumë për të stimuluar kërkesën e brendshme.

Ndërsa Pekini ka ulur vazhdimisht normat e interesit, rënia për 8 muaj radhazi në bilancin tregtar tregon një dobësi të vazhdueshme të kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme. Eksportet për tetorin ranë me 6.9 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa importet ranë me 18.8 për qind.

Administrata e Përgjithshme e Doganave thotë se këto të dhëna e lënë vendin me një suficit tregtar rekord të lartë prej 61.64 miliardë dollarë. Ekonomistët e anketuar nga Reuters prisnin që eksportet e denominuara në dollar të kishin një rënie prej 3 për qind dhe importet në 16 për qind, në përmirësim me muajin e kaluar.

Ndërkohë, rënia e importit të lëndëve të para, thekson një kërkesë të dobët për sektorë kyç si ndërtimi dhe pronat e patundshme, dy zona që Pekini ka luftuar ti rimëkëmbë. Sektori i shërbimit në Kinë, që ka qënë motori i ekonomisë së vendit, ka humbur vrull gjithashtu gjatë muajit.

Ekonomistët thonë se tregtia nuk ka gjasa të rimëkëmbet në terma afat –shkurtër, dhe kursi i këmbimit të valutës do të jetë nën presion pasi Rezerva Federale sinjalizon rritjen e normave. Tjetër faktor që ka udhëhequr rënien ka qenë tregtia me vendet e zhvilluara. Dërgesat në Shtetet e bashkuara ranë me 0.9 për qind për vitin, ndërsa eksportet drejt BE ranë me 2.9 për qind. Edhe ato drejt partnerit kryesor tregtar, Japonisë, ranë me 7.7 për qind. /Telegrafi/

Exit mobile version